Kurti: Gjermania, shembull për bashkimin kombëtar të shqiptarëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me rastin e 30-vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, ka hequr një paralele mes bashkimit të dy Gjermanive me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Kreu i VV-së thekson se, ajo që ka ndodhur me gjermanët është shembull për shqiptarët, bashkimin e të cilëve tha ai vendet perëndimore e kundërshtojnë siç bënë dhe në rastin e Gjermanisë.

“Gjermania është shembull e model, për zhvillim përmes punës e dijes, përmes ndershmërisë e shtetit. E po ashtu, për neve shqiptarët, është model që mbështet argumentin se bashkimi kombëtar nuk sjell destabilizim, por balancim, zhvillim, demokratizim e paqe. Shumë vende perëndimore e fqinje ishin të shqetësuara atëbotë, dhe kundërshtuan bashkimin e dy Gjermanive. Por sot të gjithë janë të kënaqur me Gjermaninë, lokomotivë e BE-së, garantuese e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, promovuese e marrëdhënieve të mira mes shteteve. Nëntori, i shenjtë për gjermanët, fillon me ditën e tyre, nëntori i shenjtë për ne, mbaron me ditën tonë”, deklaroi z. Kurti.