Haziri: LDK e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa kryeministër, Kurti po kërkon viktimizim
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti se ai nuk do të dorëhiqet, megjithëse ka thënë se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.
Haziri është shprehur se partia e tij nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi të mbetet pa kryeministër.
Sipas tij, Kurti po e kërkon viktimizimin dhe këtë nuk do t’ia mundësojë LDK-ja.
“Siç ka deklaruar Kryetari i LDK-se mbrëmë, kryeministri Kurti është dorëzuar e po kërkon viktimizimin. LDK nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa Kryeministër, dhe natyrisht për qeverisje”, ka thënë Haziri.
“LDK nuk ia mundëson e as mundëson dëshirën për viktimizim. Veç dorëheqja pas dorëzimit!”, ka deklaruar ai.

