Haziri: Po krijohet momentum i ri për marrëveshjen finale, Qeveria nuk është gati
Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbia ka krijuar një momentum të ri për procesin. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se “bombat e vogla” që pengojnë arritjen e kësaj marrëveshje duhet të largohen nga tavolina.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se po krijohet një momentum i ri për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës duhet jetë e përkushtuar ndaj procesit dhe ta kapitalizojë këtë moment.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haziri ka shprehur brengen e tij se Kosova nuk është e gatshme ta ndjek dinamikën e re që SHBA-ja dhe BE-ja po e kërkojnë për procesin e Brukselit.
“Po krijohet një momentum i ri për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe duhet të kapitalizohet, duhet të kapet. Sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokus ndërkombëtarë po qon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke. Kemi një rritje te madhe të sanit politik në Bruksel dhe qendrat kryesore në Evropë që marrëveshje duhet të përfundoj me njohje reciproke, nuk ka opcion tjetër”, ka thënë Haziri.

