Haziri pret gardën kombëtare të Iowa (ShBA), i falënderon për kontributin e jashtëzakonshëm për Gjilanin

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune në zyrën e tij, gardën ushtarake nga Iowa (ShBA) të cilët i ka informuar për punën që bëhet në Gjilan, bashkëpunimin dhe financimin e shumë projekteve nga taksat e qytetarëve amerikanë, të cilat janë të jashtëzakonshme, që nga viti 1999 përmes formave të ndryshme.

Kryetari Haziri ka thënë se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është mështetja më e madhe që ka ardhur për Kosovën dhe Gjilanin, në të gjitha dimensionet, që nga siguria publike, investimet e shumë projekteve për komunitetin dhe deri te lidhja direkte e Gjilanit me Sioux City, që është lidhje vëllazërore dhe si e tillë kultivohet përmes bashkëpunimeve nga format të ndryshme.

“Gjilani ka lidhje shumë të afërt që nga çlirimi e deri më sot. Uniforma e marinsave amerikanë, e ushtarëve të kampit Monteith dhe miqësia e vazhdueshme përmes projekteve kapitale, janë kujtimet që të gjithë qytetarët i ruajnë dhe janë falënderues vazhdimisht. Gjilani, si qendër e mikroregjionit, gjithmonë do të jetë partner i denjë me SHBA-të dhe konkretisht me Iowa-në. Ndjehem shumë krenar që sot në zyrën time janë një pjesë e ushtarakëve që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 2004 e deri më sot. Ne ishim me fat që kishim mbështetjen në fushën e sigurisë dhe hapave të tyre kanë ecur FSK dhe Policia Kosovës”, ka thënë, mes tjerash, kryetari Haziri.

Ndërsa nga ana e tij, në emër të gardës ushtarake ka folur, Komandanti i gardës së Iowa, Kneuven Jason, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për klimën e mirë të ndërtuar në Komunën e Gjilanit në aspektin e sigurisë dhe gjendjes së përgjithshme zhvillimore që ka shënuar ky qytet për më shumë se 20 vjet.

Ai më tej ka potencuar se bashkëpunimi i Gjilanit me Soux City është themel i fuqishëm për krijimin e urave të fuqishme lidhëse edhe në sektorët e tjerë, që do të ndikonin pastaj në zhvillimin ekonomik këtu.

Gjithashtu, delegacioni i Komunës së Gjilanit dhe garda ushtarake e Iowa, nën shoqërimin e nënkryetarit, Arbër Ismajli, komandantin e Stacionit Policor, major Alban Ramushi dhe komandantin e Njësisë Elitare të FSK’së në Gjilan, nënkolonel Albert Kuqi, kanë bërë homazhe pranë lapidarit të Beau Biden, në nderim të veprës dhe kontributit të tij, dhënë gjatë shërbimit ushtarak dhe shërbimit në Kosovë.

Në fund, bashkërisht kanë vizituar edhe Muzeun Etnografik të Gjilanit dhe janë takuar edhe me fëmijët të cilët kishin aktivitete në shënim të Ditës Botërore të Fëmijëve.