Haziri: Qe 3 muaj po e presim aparatin për teste serologjike, po qëndron në terminal
Edhe Komuna e Gjilanit po e pret aparatin për teste serologjike, i cili po qëndron tash e tre muaj në terminalin doganor, transmeton Mediafokus.info.
Kreu i kësaj Komune, Lutfi Haziri, ka thënë se lirimi i aparatit do t’i gëzonte.
“#Dita124. Sot e kemi marrë lajmin e hidhur për vdekjen e një bashkëqytetari nga Cernica (64 vjeç) i cili ishte infektuar me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta familjes. Për 4 muaj, 288 persona kanë rezultuar pozitivë, 158 janë shëruar plotësisht, 126 janë raste aktive, derisa pesë persona kanë vdekur. Apeloj që të keni kujdes të shtuar, duke i përdorë masat mbrojtëse dhe distancën sociale. Ju lutem, mbrojeni veten, familjen, lagjen dhe qytetin tuaj. Lajmi tjetër i keq është se tash e tre muaj po e presim donacionin me teste serologjike, e cila tash tre muaj po qëndron në terminal doganor. Do të na gëzonte shumë lirimi i aparatit nga terminali doganor!”, ka shkruar Haziri, në një postim në Facebook.
Një problem me testet serologjike e ka paraqitur sot edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kritikoi Qeverinë për bllokimin e testeve serologjike.