Haziri: Rugova i refuzoi 4 kandidatë të PDK-së për kryeministër

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për koalicionin e parë me PDK dhe emrat që i kishte dërguar PDK-ja për kryeministër.

Në Pressing të T7, Haziri ka thënë se përveç Bajram Rexhepit, në mesin e emrave kanë qenë edhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Fehmi Mujota.

Haziri tha se presidenti historik, Ibrahim Rugova e kishte shikuar vetëm numrin e pestë që ishte Bajram Rexhepi, sepse sipas tij, emri i Rexhepit “e ka rahatuar” Rugovën.

“Pesë emra është detyru PDK-ja me i sjell për kryeministër kur e kemi bërë koalicionin e parë, kjo është e vërtetë. Rugova e ka këqyr numrin e pestë, nuk i ka këqyr katër të parët hiç, edhe numri pesë ka qenë Bajram Rexhepi. Dihet publikisht, ka qenë edhe zotëri Thaçi, ka qenë zotëri Mujota, Fehmi Mujota, Jakup Krasniqi”, ka thënë Haziri.

Ai shtoi se Mujota ka qenë emri më i pritur për t’u bërë kryeministër i parë i qeverisë, pasi ishte i favorizuar pak edhe prej ndërkombëtarëve, por Rugova këmbënguli te numri pesë.