Helmimi i fëmijëve shqiptarë në Kosovë – krim i heshtur dhe dëshmi personale nga vitet ’90
Sabedin Sherifi
Në fillim të viteve nëntëdhjeta, në Kosovë ndodhi një nga krimet më të rënda dhe më pak të ndëshkuara ndaj popullsisë civile: helmimi masiv i fëmijëve shqiptarë nëpër shkolla.
Qindra e mijëra nxënës të shkollave fillore, të mesme dhe profesionale u përballën papritur me simptoma të rënda shëndetësore, në një kohë kur represioni shtetëror serb ndaj shqiptarëve po arrinte kulmin.
Ky akt nuk ishte i rastësishëm. Ai ndodhi në një kontekst të qartë politik: ndalimi i arsimit shqip, largimi i mësuesve nga puna, segregimi etnik në shkolla dhe përpjekja sistematike për ta thyer shpirtin dhe të ardhmen e një populli.
Helmimi i fëmijëve ishte goditje direkte ndaj asaj të ardhmeje.
Si nxënës i shkollës së mjekësisë, jam dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj që ndodhi. Fillimisht, autoritetet serbe na ndanë nga nxënësit serbë.
Ata u transferuan në një objekt tjetër, ndërsa ne mbetëm të izoluar.
Kjo ndarje e qëllimshme ishte sinjal paralajmërues i asaj që do të pasonte.
Një mëngjes, sapo hymë në klasë si zakonisht, brenda gjysmë ore filloi gjithçka.
Disa shoqe të klasës filluan të ankoheshin për gjendje të rëndë shëndetësore dhe shfaqën sjellje të pazakonshme.
Disa prej tyre, në gjendje paniku dhe çrregullimi të plotë, filluan të nxirrnin flokët nga koka.
Në të njëjtën kohë, pothuajse në të gjitha klasat ndodhte e njëjta gjë.
Nuk dinim çfarë të bënim. Paniku ishte i përgjithshëm. Meqë shkolla jonë ndodhej në oborrin e Qendrës Klinike të Kosovës, vendosëm t’i dërgonim nxënësit atje.
Oborri ishte i rrethuar me tel dhe mezi arritëm të kalonim. Pamja që na priti ishte tronditëse: pothuajse në çdo klasë kishte nxënës me simptoma të njëjta.
Oborri dhe Klinika Infektive ishin mbushur me njerëz që shfaqnin shenja të qarta helmimi.
Në atë kohë, shumëkush ende nuk mund ta besonte se Serbia kishte arritur deri aty sa të helmonte fëmijë shqiptarë.
Ndërkohë, propaganda shtetërore serbe ishte në kulmin e saj, duke i akuzuar shqiptarët se po “aktronin” dhe se bëhej fjalë për histeri masive apo reagim psikologjik kolektiv.
Këto pretendime binin ndesh me realitetin e përditshëm që ne po përjetonim me sytë tanë.
Ne banonim në konviktin e nxënësve pranë Shkollës Normale në Gërmi. Edhe aty ndodhën helmime. Kujtoj se një punëtore kuzhine serbe u kap duke shpërndarë helm nëpër banjo.
Megjithatë, ndaj saj nuk u mor asnjë masë. Ajo u mor në mbrojtje nga sigurimi, duke u paraqitur si e pafajshme dhe e rrezikuar.
Ky ishte edhe një tjetër tregues se institucionet e kohës nuk synonin zbardhjen e së vërtetës, por fshehjen e saj.
Atë natë, pothuajse gjatë gjithë kohës, ambulancat nuk pushuan së transportuari nxënës nga konvikti drejt klinikës.
Ishte një natë ankthi, frike dhe pasigurie, që mbeti thellë e gdhendur në kujtesën tonë kolektive.
Helmimi i fëmijëve shqiptarë në Kosovë nuk ishte incident i izoluar, por pjesë e një politike të qëllimshme represioni.
Ky krim mbetet edhe sot i pandëshkuar. Ai kërkon kujtesë, dokumentim dhe drejtësi.
Kujtimi i asaj që ndodhi nuk është vetëm nderim për viktimat, por edhe obligim moral dhe historik që e vërteta të mos heshtet kurrë.
Fëmijët e helmuar të Kosovës nuk ishin numra statistikë.
Ata ishin jetë të njoma, fëmijëri të dhunuara dhe dëshmi e një krimi që nuk guxon të harrohet.

