Hevzi Matoshi, juristi që dinte të gjente zgjidhje për çdo problem ligjor

Para dy vitesh, në një ditë të ftohtë janari, u nda nga jeta Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore në Gjilan.

Ai mbahet mend si njeri i mirë, bashkëpunëtor i sinqertë dhe mbi të gjitha si profesionist i shkëlqyer në punën e tij.

Matoshi ishe ndër juristët e paktë që nuk shmangej nga problemet ligjore, por gjithnjë mundohej të gjente zgjidhje brenda normave ligjore, shkruan portali Mediafokus.info

Hevziu ishte një vlerë për Komunën e Gjilanit, ku dha kontribut të çmuar në ngritjen e administratës komunale, për disa vite pas luftës, deri në vdekje.

Ka qenë një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha një profesionist i përkushtuar në punën e tij.

Kolegu i tij Samid Robeli ka shkruar:

‘Sot u bënë 2 vite pa nipin, mikun, kolegun, bashkëpunëtorin më të ngushtë timin dhe shefin e Zyres Ligjore te Komunës së Gjilanit, Hevzi Matoshin.

Vështirë qenka me shkru përkujtimin për ty por edhe më vështirë kur nuk po më pret më në zyren tuaj. Por, në të njëjtën kohë jam krenar që të njoha, rrugëtuam bashkë dhe për çdo gjë konsultoheshim. Gjithashtu nga ju mora përvojë profesionale veçanërisht në fushën e drejtësisë.

Do të kujtojë gjithmonë miku im’ ka shkruar Robeli.

Kurse njëri nga kolegët e tij, Ilmi Musliu, thotë se Hevziun e kam njohur në vitin 1985.

“E pata takuar në zyrat e Inspektoratit komunal ku kishte ardhur të ankohej për një vend pune. Pretendonte se i ishte bërë e padrejtë.

Derisa fliste për fëmijët, të cilët i kanë nevojat dhe dëshirat e tyre dhe për shkak të moshës mund të mos i kuptojnë mundësitë e prindit, i rrëshqiti një lot faqeve, duke shpërfaq gjithë ndjesinë e tij si familjar.

Të tillë, njerëzor dhe profesionist, dua ta kujtoj Hevzën edhe tani pas dy vitesh dhe gjithmonë”, thotë ai.

Hevzi Matoshi u lind më 21 shtator 1961, në Gmicë të Kamenicës. Diplomoi në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës. Karrierën profesionale e filloi si praktikant-jurist në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë (1983/84), për të vazhdar pastaj me punë si sekretar në shkollën “Abaz Ajeti” dhe në fabrikën e baterive në Gjilan.

Gjatë viteve të `90-ta, shpeshherë është ndjekur nga pushteti për shkak të aktivitetit të tij politik.

Pas lufte, nga viti 2000 ka kryer detyrën e zëvendës drejtorit të Drejtorisë së Punës, në kuadër të Komunës, nëpunës i përcjelljes së Komiteteve të KK-së, inspektor i Pronës, zyrtar i lartë Ligjor dhe së fundi udhëheqës i Zyrës ligjore.

Në aktivitetet shoqërore u përfshi në vitet `90-ta si sekretar i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e tyre.

Ka marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve në Kosovë.

Për rezultate në punë, ka marrë dy herë mirënjohje nga Komuna./Mediafokus/