Historia e një vendi nuk ndërtohet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga njerëzit që patën guximin të lënë gjurmë në kohën kur jetuan
(Intelektual, arsimtar dhe veprimtar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Preshevës)
Mehmet Jusufi u lind më 18 shtator 1927 në Preshevë. Arsimin e lartë pedagogjik, në drejtimin histori-gjeografi, e kreu në Nish, ndërsa më vonë përfundoi edhe studimet në Fakultetin Matematiko-Natyror, drejtimi i gjeografisë, në Shkup, shkruan Zëri i Luginës.
Veprimtarinë e tij arsimore e filloi si mësimdhënës, duke u bërë pjesë e gjeneratës së intelektualëve të hershëm shqiptarë të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Një kontribut të veçantë dha në themelimin e Gjimnazit të Preshevës, në vitin shkollor 1960/1961, fillimisht si paralele e Gjimnazit të Vranjës „Bora Stankoviq“. Në fillim ushtroi detyrën e zëvendësdrejtorit, ndërsa pas mëvetësimit të gjimnazit u emërua drejtor.
Përveç angazhimit në gjimnaz, ai kontribuoi edhe në hapjen e shkollave shqipe nëpër fshatra, ndër të cilat në Miratoc, Raincë dhe Caravajkë.
Në Miratoc, si drejtor i shkollës fillore „Abdullah Krashnica“, u angazhua edhe për përshtatjen e ndërtesës së kooperativës bujqësore në objekt shkollor, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e mësimit.
Nga arsimi në drejtimin politik të Preshevës
Mehmet Jusufi u shqua edhe si aktivist shoqëror dhe politik. Pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe largimit të Aleksandar Rankoviqit nga pozitat politike, në një klimë të re politike, ai u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Preshevës.
Gjatë kësaj periudhe, ai u angazhua për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në intervistën e botuar në librin „Gjurmët e pashlyera“ të autorit Skënder Latifit, Jusufi theksonte se parimi i tij ishte që përfaqësimi në institucione dhe punësimi të pasqyronin përbërjen reale të popullsisë.
Si deputet në Dhomën Kulturore-Arsimore të Serbisë, kërkoi sigurimin e mjeteve financiare për zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Sipas dëshmisë së tij, si rezultat i këtij angazhimi u siguruan mjete për hapjen e bibliotekave, formimin e shoqatave kulturore dhe ndërtimin e shtëpive të kulturës.
Pas katër vitesh, u zgjodh edhe deputet në Dhomën Republikane të Serbisë, ku vazhdoi angazhimin për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj treve.
Rruga Preshevë–Gjilan, një nga projektet e rëndësishme të kohës
Një prej angazhimeve të tij më të rëndësishme ishte ndërtimi i rrugës Preshevë–Gjilan, përmes Karadakut.
Për realizimin e këtij projekti, Jusufi tregon se kishte zhvilluar bisedime me udhëheqës dhe gjeneralë të ushtrisë jugosllave, nga të cilët kishte siguruar mbështetje teknike, përfshirë buldozerë dhe kamionë.
Ndërtimi i rrugës zgjati dy vera, me nga tre muaj punë, ndërsa më vonë, përmes mjeteve financiare të siguruara, rruga u asfaltua.
Ai kujtonte edhe kundërshtimet që ishin bërë ndaj këtij projekti, madje duke e interpretuar ndërtimin e saj si një përpjekje për bashkimin e Preshevës me Kosovën e Shqipërinë.
Në të njëjtën kohë, ai u angazhua për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e industrisë grafike, plastike dhe metalike, duke synuar një përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në institucionet dhe ndërmarrjet lokale.
Një lidhje familjare me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
I pyetur nëse ishte e vërtetë që një pjesëtar i familjes së tij kishte marrë pjesë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, ai tregoi se, sipas një informacioni që kishte dëgjuar nga arsimtari Adem Ahmeti, përmes një emisioni të Radio „Zëri i Amerikës“, në mesin e pjesëmarrësve të përmendur ishte edhe axha i tij, Mehmet Doshlaku.
Përballja me presionet politike dhe vitet e fundit
Angazhimi i tij i vendosur për të drejtat e shqiptarëve nuk kaloi pa pasoja. Në intervistë, Jusufi shprehet se mënjanimi i tij nga skena politike erdhi si pasojë e kërkesave të hapura dhe të vazhdueshme për realizimin e të drejtave shqiptare në nivel komunal dhe republikan.
Për shkak të veprimtarisë së tij, ai u shkarkua nga funksionet politike dhe u detyrua të largohej nga vendlindja. Për një kohë të gjatë jetoi në Portorozh në Slloveni, por mbeti i interesuar për zhvillimet politike në Preshevë dhe në të gjitha trojet shqiptare.
Mehmet Jusufi ndërroi jetë në vitin 2004 në Slloveni, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në arsimin, kulturën, politikën dhe zhvillimin institucional të Preshevës.
Mehmet Jusufi i përket brezit të njerëzve që e kuptuan angazhimin publik si përgjegjësi ndaj vendit dhe popullit të tyre.
Ai ishte arsimtar që kontribuoi në shkollimin e brezave, drejtues që kërkoi zhvillimin e vendlindjes dhe veprimtar që u përball me sfidat politike të kohës.
Emri i tij sot kujtohet edhe përmes Bibliotekës së Qytetit të Preshevës, e cila mban emrin „Mehmet Jusufi“.
Historia e një vendi nuk ndërtohet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga njerëzit që patën guximin të lënë gjurmë në kohën kur jetuan.
/Përgatiti: Fitim Nuhiu

