Ramadan Fazliu – Llashtica, burri që jetoi me flamurin shqiptar në zemër

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, është nder dhe përgjegjësi të kujtojmë njerëzit që me jetën, guximin dhe qëndrimin e tyre e mbajtën gjallë idealin kombëtar.

Njëri prej tyre ishte Ramadan Fazliu nga Llashtica, nipi i babait tim, një burrë që jetoi mbi 80 vjet dhe që për dekada me radhë ishte ndër odatarët më të njohur e më të mirë të Anamoravës, veçanërisht gjatë viteve 1955–1995.

Ramadani nuk ishte vetëm një odatar i fjalës dhe i kuvendit. Ai ishte burrë i karakterit, i qëndrimit dhe i dashurisë së palëkundur për kombin shqiptar.

Në vitet kur flitej per kthimin e shqiptarve nga Turqia, daja Dan kishte afruar 3 hektarë toke e troje per rikthimin e shqiptareve ne trojet e atdheut te vet.

Viti 1968 ishte një moment i veçantë në jetën e tij. Kur u dha e drejta e përdorimit të flamurit shqiptar, Ramadani e vendoste flamurin kuqezi në majë të pemës, në festa fetare dhe në festat e Vitit të Ri.

Për të, flamuri nuk ishte një copë pëlhure, por simbol i identitetit, i historisë dhe i dinjitetit shqiptar.

Në përballjet me serbët e Llashtices e Pasjanit, ai tregonte vendosmëri të jashtëzakonshme për ta mbrojtur flamurin shqiptar, deri në atë pikë sa ishte i gatshëm ta mbronte edhe me armë, vetëm që askush të mos e përbalte e të mos e poshtëronte simbolin kombëtar.

Shumë janë ndejat me vëllezërit e kushërinjtë e mi, babain tim, vëllezërit Shabanin, Zeqen, Danin, Mixhen Avdi, Haxhi Hamdiun, Bacen Tefik, Rexhen, Bacen Rizë (shumica të ndjerë e pjesëmarrës të LDB), me dajat, me miq e te tjerë të shumtë në farefisin tone, kujtimet dhe ndodhitë krenarie që lidhen me emrin e tij dhe rrjedhat e zhvillimeve në vendin tonë që në fund përmes luftës së UÇK-së sollën lirinë që e gëzojmë sot.

Ramadani nuk u ndal as në kohët më të vështira. Gjatë demonstratave të vitit 1981, ai doli hapur në mbështetje të kërkesës ‘KOSOVA REPUBLIKË’.

Për këtë qëndrim u burgos dhe u bashkua me rininë shqiptare në kazamatet dhe burgjet jugosllave.

Shtëpia e tij u bastis shumë herë. Në këto bastisje iu morën edhe shumë here armë, ndërsa kishte raste kur ata që vinin për ta bastisur nuk guxonin as t’i hynin në shtëpi.

Pamja e tij burrërore, mustaqet karakteristike, kamishi i gjatë nga qelibari, llulla dhe tymi i duhanit, qëndrimi i palëkundur e bënin Ramadanin një figurë të veçantë.

Por ajo që e dallonte më shumë ishte fjala e tij nëpër oda, ku përveç shumë urtësive dhe pleqnive, përsëriste një mendim që e kishte bërë pjesë të kuvendit të tij: “Bugari (Bullgaria) nuk ka qenë shtet, por e ka bërë Rusia. Junani (Greqia) nuk ka qenë shtet, por e ka bërë Ingilizi (Anglia).

Edhe Serbia nuk ka qenë shtet, por e ka bërë Rusia. Edhe neve ka me na dalë dikush e ka me na ba shtet (e ngriste zanin në odë me plot burra, në ndeja, dasma e ne ditët e gjata të përmortshme)!

Këtë bindje e përsëriste në shumë oda, duke u dhënë shpresë dhe kurajë shqiptarëve në kohë kur liria dhe shtetësia e Kosovës dukeshin ende larg.

Dhe historia e solli ditën që ai e kishte pritur me aq shumë dëshirë. Në vitin 1999, Kosova u çlirua.

Ramadani pati fatin ta priste lirinë për të cilën kishte vuajtur, ishte burgosur dhe nuk kishte pushuar kurrë së ngrituri zërin.

Ai e pa të realizuar ëndrrën për të cilën kishte përcjellë mesazhe te populli i Anamoravës për shumë vite.

Pas çlirimit, jeta e tij mori fund, por kujtimi dhe fjala e tij mbetën.

Sot, në Ditën e Flamurit, kur flamuri kuqezi valëvitet lirshëm, duhet të kujtojmë edhe ata burra që dikur rrezikuan gjithçka vetëm për ta parë atë flamur në vendin që i takonte.

Ramadan Fazliu ishte njëri prej tyre.

Nuk është vetëm historia e një burri nga Llashtica, por një pjesë e kujtesës sonë kombëtare, e qëndresës shqiptare dhe e historisë së Anamoravës.

Le të mos harrohet emri i tij. Le të përcillet historia e tij te fëmijët dhe nipërit tanë, sepse një komb që harron njerëzit që sakrifikuan për lirinë e tij, rrezikon të harrojë edhe rrugën që e solli deri te liria.

Flamuri që Ramadani e ngriti me guxim, sot valëvitet në lirinë për të cilën ai jetoi.

Ramadani i Fazes, nuk e priti lirinë vetëm si dëshirë, por e priti si njeri që për të kishte rrezikuar, vuajtur dhe sakrifikuar një jetë të tërë. /Xhevat Bekteshi