Hoti: Do marr përgjegjësinë e plotë për rezultatin

Kandidati i LDK’së për kryeministër, Avdullah Hoti, në daljen e parë pas numërimit të shumicës së votave të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ka thënë se do marrë përgjegjësinë për rezultatin e subjektit të tij, i cili ka marrë deri më tani 13,33 për qind të votave.

“Para jush, e marr përgjegjësinë e plotë për rezultatet. Në ditët në vijim do të diskutoj me organet e LDK’së për përgjegjësinë time në këto zgjedhje”, ka deklaruar Hoti.

“Pres që KQZ-ja të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit”, ka thënë ai.

Megjithatë, kandidatin për kryeministër e ka mbrojtur kryetari i LDK’së, Isa Mustafën, duke thënë se ai ka bërë një punë të shkëlqyer përgjatë fushatës.

“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfardo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai.