Hoti: Kur ne negocionim pavarësinë në Vjenë, ata ishin kundër gjithçkaje

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten se kur shteti i Kosovës negocionte në Vjenë për pavarësinë e vendit, partia e shiritave të kuq, organizonin protesta të dhunshme, ku vriteshin qytetarë të pafajshëm.

“Fajtorë për vrasjen e tyre janë ‘partia e shiritave të kuq’, pasi që i kanë manipuluar qytetarët, kryesisht të rinjtë, me kauza të rrejshme se gjoja Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet. Kosova u bë shtet, ndërsa qytetarët e pafajshëm e pësuan me jetë. Kjo është një arsye tjetër pse ata sot, po e fshijnë dhe fshehin biografinë e tyre”, tha Hoti.

Sipas tij, partia e shiritave të kuq, ishin edhe kundër marrëveshjes së Rambujesë, e cila i solli bombardimet e NATO-s dhe lirinë e Kosovës.

“Ata ishin kundër bisedimeve të Vjenës prej nga erdhi pavarësia e Kosovës. Ata ishin kundër, kundër, kundër…dhe çka është kryesorja, ata janë edhe sot në anën e kundërt të historisë. Ata kanë përdorur dhunë kundër ambasadores amerikane, dhe kurrë nuk u distancuan nga dhuna dhe as nuk kërkuan falje”, shoi Hoti.

Sipas tij, gjatë 50 ditëve në qeverisje, ata ofenduan zyrtarët më të lartë amerikanë, i quajtën proserbë dhe prorusë, ndërsa Shtëpinë e Bardhë, prej ku u komanduan forcat që çliruan Kosovën, ata e quajtën herë “shtëpi e verdhë”, e herë e quanin “shtëpi të kuqe”.

“I akuzuan miqtë tanë amerikanë se kanë plane për copëtimin e Kosovës me thika mbi harta. Ai nuk pati guxim që të marrë mbi supe dialogun. Ditët e para të qeverisjes sime riktheva kontaktet me SHBA-të. U dashtë qeveria jonë t’i rikuperoj këto marrëdhënie”, shoi Hoti.