Hoti: Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar programin qeverisës për rajonin e Prishtinës, duke thënë se në Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin.

“Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara nga qeverisja e Lidhjes Demokratike e Kosovës Prishtina do të shndërrohet jo vetëm në kryeqytet modern por në qendër administrative të arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit, dhe në nyje, mbi të gjitha në nyje rajonale të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik. Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin dhe përtej Prishtina do të jetë nyje lidhëse për hekurudhat modern të rajonit dhe më gjerë, Prishtina do të bëhet kryeqendra e rajonit, pikë e referencës për siguri dhe stabilitet të Ballkanit”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, ai ka thënë se qeverisja e LDK-së do t’i mundësojë Prishtinës implementimin e politikave përkrahëse për biznese dhe qytetarë, për të përmirësuar shërbimet publike.

“Mbështetje specifike për biznese që krijojnë vende të reja pune, mbështetje për prodhim bujqësor lokal dhe ekologjik, rritje të plotë të transparencës dhe eliminim të çdo burokracie. 408 milionë euro është vlera e projekteve të cilat janë të mbështetura nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinë, të cilat i japin dimension krejtësisht të ri zhvillimor kryeqytetit tonë, përfshirë këtu impiantin për ujëra të zeza 97 milionë, rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan, rrugën Prishtinë-Podujevë, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, zgjerimin e pistës dhe ngritjen e sistemit të aterimit në aeroportin ‘Adem Jashari’, ndërtimin e rrugës A në komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Hoti ka vazhduar tutje duke përmendur Spitalin e Prishtinës, kompleksin e ri qeveritar në Hajvali e ndërtimin e objektit të Administratës Tatimore dhe Doganave në Prishtinë, duke theksuar se këto janë vetëm disa prej projekteve me të cilat qeverisja e LDK-së e mbështet Prishtinën.

Hoti ka thënë se LDK nuk do të bashkëpunojë me krimin dhe korrupsionin, duke deklaruar që alternativat e partive të tjera politike i konsideron të zymta dhe sipas tij të njëjtat e dërgojnë vendin në degradim dhe izolim.