Hoxha emocional: Pandemia e ka zbehur hijeshinë e Ramazanit dhe Fitër Bajramit

Imami i xhamisë së Dobërçanit të Gjilanit, Junus Ramadani, është njëri prej hoxhallarëve më në zë në këtë pjesë të Anamoravës, shkruan Mediafokus.info.

Është ndër të rrallët që edhe shkollën e mesme dhe Fakultetin e Studimeve Islame i ka mbaruar në shtetet arabe.

Shkollimin e mesëm e ka bërë në dy nivele. E ka filluar në Siri më 1974 dhe e ka përfunduar në Medine, në vitin 1980.

Për katër vitet e ardhshme e përfundon edhe fakultetin në Universitetin Islamik, në Medine të Arabisë Saudite, që është universiteti fetar i dytë në botë më prestigjioz, pas atij Az’har në Egjipt.

Për krejt këtë periudhë të përkushtimit ndaj fesë Islame, hoxha Junus Ramadani nuk e mban në mend të ketë ndodhur një bllokadë e tillë në nivel global, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Jam i sigurtë që asnjë gjeneratë, as para neve, jo vetëm unë, nuk e mban në mend një bllokadë të tillë në nivel global. Përndryshe, ka pasur epidemi në kohë të caktuara e në vende të caktuara,  por jo në këtë nivel”, thotë hoxha Ramadani.

Në një prononcim për Mediafokus.info, Ramadani thotë se e ka përjetuar rëndë ndalesën e xhematit në xhami që prej 15 marsit e këndej.

“Çdo besimtar mysliman besoj që e ka përjetuar shumë rëndë mungesën nëpër xhami. Por, për ne hoxhallarët, që e kemi profesion, ka qenë edhe më e rëndë. Pandemia, në veçanti, e ka zbehur hijeshinë e Ramazanit e të Fitër Bajramit”, thotë hoxha Junus Ramadani, për Mediafokus.info.

Por, vazhdon ai, kur një popull apo më shumë popuj përballen me sëmundje ngjitëse, masat e vetizolimit kanë bazë në fenë Islame dhe, si të tilla, duhet të zbatohen.

“Për këtë e kemi edhe hadithin e profetit Muhamed se “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi të murtajës në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni”.

Pra, karantina e ka bazën qysh prej kohës së profetit dhe duhet të zbatohet sipas rekomandimeve të profesionistëve të shëndetësisë”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka thënë se sipas shpjegimeve të historianëve, një sëmundje e kësaj natyre ka qenë në kohën e udhëheqësit të dytë të myslimanëve, Omerit, pas vdekjes së profetit Muhamed.

“Në kohën e Omerit përhapja e sëmundjes ngjitëse të asaj kohe është parandaluar me rregullat e vetizolimit. Dicka e ngjashme me rregullat e sotme”, ka thënë imami i xhamisë së Dobërçanit, Junus Ramadani./Mediafokus.info/