Hoxhaj: Kurti e Osmani po e linçojnë Gjykatën Kushtetuese dhe KQZ-në

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Enver Hoxhaj së bashku me kandidatin për deputet, Abelard Tahiri kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbjen e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Hoxhaj duke potencuar se sundimi i ligjit është kusht elementar për funksionimin e shtetit dhe demokracisë ka thënë se është e rrezikshme se si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë duke e linçuar Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“PDK-ja është e vetmja parti që pa zhurmë e respektoi vendimin që të largonte nga lista individët që kishin problem me ligjin. Sepse, PDK-ja e respekton KQZ-në dhe institucionet e tjera të pavarura. Dhe, kështu ka vepruar gjithmonë. Sepse, PDK-ja është parti shtetformuese dhe përfaqëson sakrificën për ta krijuar këtë shtet e këto institucione. Prandaj, PDK-ja ia di vlerën këtij shteti dhe i respekton institucionet dhe ligjet e këtij shteti. Për këtë arsye, në këto zgjedhje përballë janë vetëm PDK-ja dhe VV-ja. Në të vërtetë, në këto zgjedhje përballë janë vetëm respektimi i ligjit, në një anë; dhe kërcënimi ndaj institucioneve që e zbatojnë ligjin, në anën tjetër.”, ka thënë Hoxhaj.