Ia theu kokën me shufër gruas pse nuk ia bëri bukën

Dhuna ndaj grave është rritur në shoqërinë kosovare. Kështu flasin statistikat, ndonëse thuhet se nuk bëhet fjalë për rritje të nivelit të dhunës në familje, por për një vetëdijesim të viktimave për t`i raportuar rastet.

Sidoqoftë, jemi dëshmitarë të disa rasteve ekstreme të shprehjes së dhunës ndaj grave, ku ato gjymtohen e vriten në mënyrë barbare.

Një rast i tillë ishte ai në Berivojcë të Kamenicës, ku burri e privon nga jeta gruan e tij, në mënyrë të tmerrshme, për arsye krejtësisht banale, pse ajo nuk kishte mundur të ngrihej nga shtrati e t`ia bënte bukën, meqë disa ditë më parë kishte lindur.

Këtij personi, një trup gjykues me integritet të lartë profesional e moral në Gjykatën Themelore në Gjilan, dje i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm.

“I akuzuari me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë në kohë dhe në anën e djathtë të kokës, në fytyrë afër syrit, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse.

Trupi gjykues nuk ka gjet ndonjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, por të gjitha rrethanat kanë qenë rënduese, duke marrë parasysh prezencën e fëmijëve në ditën kritike, gjendjen e të ndjerës dhe fëmija i porsalindur (një muajsh), kanë dhënë arsye që dënimi të jetë kapital”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Mbase, ky dënim duhet t`i ndërgjegjësojë burrat shqiptarë kundrejt grave dhe familjes, që të mos u shkojë mendja të ‘zgjidhin probleme’ nëpërmjet dajakut.

Njëherësh, organet shtetërore duhet të jenë më të rrepta në këto raste dhe të mos presin që të ndodhë më e keqja, si në rastin konkret, ku siç u bë e ditur nga gjykata, i akuzuari kishte disa precedente kriminale të mëhershme, përfshirë edhe me gruan e tij, tani të ndjerë./Mediafokus.info