Identifikohen dy të dyshuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Mitrovicë, ata ndodhen ende në arrati
Policia e Kosovës ka identifikuar dy të dyshuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Mitrovicë, të cilët ende gjenden në arrati.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Policia ka bërë me dije se rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
“Nga veprimeve të deritanishme hetimore, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale Vrasje”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, një i ri është therur për vdekje pak pas mesnatës në rrugën “Artim Jashari”, në Mitrovicë. Viktima është një 26-vjeçar me inicialet A.M.
Detaje për këtë rast ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh. Sipas raportit, viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Mitrovicë është transportuar në QKUK , ku edhe ka vdekur meqenëse s’ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra.
“Viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Mitrovicë është transportuar në QKUK i cili duke mos u përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në IML”, thuhet në raport.

