Idriz Seferi, kryengritësi i luftërave për liri e për Shqipëri

Shqiptarët e Kosovës që sot festojnë pavarësinë e shtetit të tyre, kanë merita të pamohueshme edhe në pavarësinë e shtetit shqiptar, që sivjet mbush 110 vjet. Në këtë rrugëtim shekullor të shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi, shkruan Mediafokus.info

Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë. Njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës njëqind vjeçare, bashkë me Isë Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, njëqind vjet më parë. Pa Shqipërinë e pavarur, njëqind vjet më parë, zor se sot të kishim Kosovën shtet.

Historiani Aliriza Selmani vlerëson se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet tjera shqiptare. Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit, populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.

Nuk pranoi privilegjet, qëndroi me popullin e tij

Sipas shkrimtari Ibrahim Kadriu, autor i romanit “Kalorësi i Karadakut”, kushtuar kryetrimit të kësaj ane, Idriz Seferi u rrit dhe u edukua nëpër oda, pasi që babai i kishte vdekur herët. Kundërshtoi të gjitha reformat e asaj kohe që ishin në kundërshtim me të drejtat e njeriut. U dënua disa herë dhe nga të gjithë pushtetet e asaj kohe, Serbia, Bullgaria, Turqia, madje edhe me burgim deri në 101 vjet.

Duke hulumtuar jetën dhe veprimtarinë e Idriz Seferit, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka mësuar se pavarësia e shqiptarëve ishte planifikuar të shpallej në Shkup, por se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes kryengritësve. Çka ka ndodhur, këtë duhet ta hulumtojnë dhe ta thonë historianët, ka thënë Kadriu.

Pushtuesit e dinin se një pavarësi e shqiptarëve do të shpallej diku, por ata ishin të interesuar që ta reduktonin këtë pavarësi në pikëpamje territoriale sa më shumë që ishte e mundur. Shpallja e pavarësisë në Vlorë, la jashtë shtetit shqiptar trojet tjera. Kadriu tha se pushtuesit i njihnin mirë aftësitë e Idriz Seferit, prandaj i kishin ofruar të gjitha privilegjet, nëse bashkëpunonte me ta, por Idrizi nuk pranoi.

Vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka.

Sipas historianit Rasim Rexhepi (tani i ndjerë), Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

Dimensioni real i Idriz Seferit

Ndërkaq, sipas historianit Fitim Rifati, Idriz Seferi ishte komandant i kryengritjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe mbetet figura më emblematike e luftës për çlirimin e viseve shqiptare. Që në moshë të re u përball me aktivitetin e çetave serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk u pajtua në asnjë mënyrë.

Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk.

Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij, dhe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës. Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë.

Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundër osmane të viteve 1910 dhe 1912. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut.

Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”.

Idriz Seferi mbetet një ndër figurat më emblematike, shëmbëlltyrë e humanizmit, udhëheqjes ushtarake, sakrificës e luftës për liri kulturore, arsimore e pavarësi politike të viseve shqiptare, së bashku me krerë të Lëvizjes Kombëtare në Gjilan e rrethinë dhe përfaqësues të tjerë kryesorë të udhëheqjes popullore e politike kundër pushtuesve të huaj, thotë Rifati. Retro/Mediafokus.info