IKD: Keqtrajtimi i qytetarit në stacionin policor paraqet një varg dështimesh të institucioneve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj keqtrajtimit të një të riu nga zyrtari policor, Haris Kelmendi. Lidhur me këtë rast, KPK ka pezulluar prokurorin Eset Rama, derisa IPK ka suspenduar zyrtarin policor Haris Kelmendi dhe dy (2) zyrtarë të tjerë policor, të cilët kishin xhiruar keqtrajtimin e bërë nga ana e zyrtarit policor Haris Kelmendi.

Njoftimi i plotë:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar me kujdes rastin e keqtrajtimit të zyrtarit policor , Haris Kelmendi, ndaj një të ndaluari në stacionin policor në Prishtinë. Lidhur me këtë rast, KPK ka pezulluar prokurorin Eset Rama, derisa IPK ka suspenduar zyrtarin policor Haris Kelmendi dhe dy (2) zyrtarë të tjerë policor, të cilët kishin xhiruar keqtrajtimin e bërë nga ana e zyrtarit policor Haris Kelmendi.

Fillimisht, IKD përkrah çdo veprim të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që kanë për qëllim ngritjen e llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese dhe ligjore. Megjithatë, në këtë rast, IKD reagon ndaj mënyrës së trajtimit të rastit dhe ndaj dështimeve zingjirore të institucioneve për të siguruar llogaridhënie meritore ndaj të gjithë përgjegjësve.

Në rastin konkret kemi të bëjmë me keqtrajtim apo torturë në institucionet e mbajtjes, përkatësisht në stacionin policor në Prishtinë, ndaj një të ndaluari, ku përfshihen së paku këto dështime:

a) Mungesa e caktimit të avokatit mbrojtës për të pandehurin paraqet shkaktarin pothuajse kryesor që ka sjellë deri tek tortura e policëve. Mungesa e mbrojtësit në këtë fazë, paraqet lehtësimin e kryerjes së torturës apo keqtrajtimeve nga ana e policisë.

b) Mungesa e regjistrimit me audio dhe video të këtij procesi të intervistimit të të pandehurit, ka mundësuar sjelljen e torturës së policit. Regjistrimi me audio dhe video i procedurave të intervistimit të të arrestuarve paraqitet si një prej mekanizmave kryesor të parandalimit të torturës dhe keqtrajtimit nga ana e zyrtarëve policor.

c) Ky rast i keqtrajtimit nga zyrtari policor ka ndodhur në vitin 2018, dhe tek tani në vitin 2021 po adresohet përmes rrugëve institucionale dhe ligjore. Ky rast është mbajtur i heshtur nga vitit 2018, pasi IPK dhe Prokuroria kanë pasur qasje në videon e publikuar, por ende nuk dihet se cilat janë masat dhe veprimet që janë ndërmarr nga këto institucione për zgjidhjen e rastit në kohë të arsyeshme. Lidhur me këtë zvarritje, asnjë prej institucioneve deri më tani nuk kanë dhënë sqarime se pse ka ndodhur kjo dhe nëse ndonjë person i caktuar është mbajtur përgjegjës.

d) Adresimi jo i drejtë dhe në pajtim me ligjin i hallkës së përgjegjësve në trajtimin e këtij rasti. Mënyra se si në rastin konkret ka vepruar Autoriteti Kompetent, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, dëshmon qasje selektive dhe jo ligjore.

IKD thekson se Procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit (RFSSL) ka trajtuar obligimin e institucioneve shtetërore për parandalimin e torturës. Ndër të tjera, në dokumentin e RFSSL-së mbi mjetet juridike thuhet se: “Mekanizmat e pavarur, të qasshëm dhe efektiv të ankesave dhe hetimeve duhet të jenë krijuar. Veprime të mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar qasshmërinë dhe efektivitetin e mekanizmave të ankesave për personat që pretendojnë keqtrajtimin në paraburgim”. Po ashtu, ky dokument si problematikë gjen edhe mungesën e një avokati gjatë ndalimit policor. “Një numër i të arrestuarve pretenduan se ata nuk kishin qasje në avokatin e tyre zyrtar, pasi të ishin marrë në pyetje nga një zyrtar policie. Nga koha e arrestimit të tyre deri në fillimin zyrtar të marrjes në pyetje, ata dyshohet se ishin lënë në një harresë ligjore, e cila, në disa raste, lehtësoi kryerjen e torturave dhe keqtrajtimeve nga policia”. Po ashtu, i njëjti dokument nënvizon se “Vizitat në terren të Mekanizmit Kombëtar Parandalues në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit zbuluan se nuk është praktikuar audio dhe video regjistrimi i intervistave gjatë intervistimit të të arrestuarve. Audio dhe video regjistrimi i intervistave policore të të arrestuarve konsiderohet si një mbrojtje e rëndësishme shtesë kundër keqtrajtimit fizik”.

Duke pasur parasysh obligimet ligjore për trajtimin e këtij rasti në kohë të arsyeshme, gjetjet dhe rekomandimet e RFSSL se si duhet të veprohet në këso rastesh, IKD vlerëson se në trajtimin e këtij rasti janë një varg dështimesh të institucioneve, të cilat në fund, Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes suspendimit të prokurorit të rastit, ka tentuar të mbulojë çdo dështim të zingjirit institucional me qëllim që të blejnë paqen në publik pas publikimit të skandalit të torturës së të riut nga zyrtari policor në stacion policor.

Gjetjet preliminare të IKD-së rreth trajtimit të këtij rasti, përveç dështimeve të listuara më lartë, dëshmojnë se se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, i cili ka iniciuar në Këshillin Prokurorial kërkesën për fillimin e hetimeve disiplinore për ta pezulluar prokurorin Eset Rama, më së paku ka vepruar në mënyrë selektive. Që nga fillimi i vitit 2020, IKD ka iniciuar vazhdimisht procedura disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tek të gjitha autoritetet kompetente, pra edhe tek Kryeprokurori Kujtim Munishi. Shumica dërrmuese e ankesave të iniciuara nga IKD janë hudhur nga Kryeprokurori Munishi, me arsyetimin se në këto raste konkrete, ka qenë në pyetje pavarësia e prokurorit, vendimet e të cilit nuk mund të komentohen dhe vlerësohen nga e kryeprokurorit apo autoritetit kompetent. Por se, në rastin e prokurorit të pezulluar, Eset Rama, Kryeprokurori Munishi ka vepruar ndryshe, ka bërë kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore. Një prej arsyetimeve të Kryeprokurorit Kujtim Munishi, ka qenë se prokurori i rastit nuk ka respektuar urdhrin e tij që ndaj të pandehurit të ngritet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Me këtë rast, IKD rikujton se Kryeprokurori Munishi, në kuadër të prej kompetencave të tij nuk është vendosja mbi veprimet që merr një prokuror i pavarur. Për më tepër, ka qenë pikërisht kjo arsye, e cila në vazhdimësi është përdorur nga z. Munishi me rastin e hudhjes së ankesave disiplinore të iniciuara nga IKD.

Për këto arsye, IKD i rekomandon të gjitha institucioneve kompetente që këtë rast dhe rastet e tjera të kësaj natyre, të trajtojnë me efikasitet dhe efektivitet, në mënyrë që të në kuadër të procedurave ligjore të sigurohet mbrojtje e palëve të përfshira në rast por edhe qasje ligjore dhe e drejtë me rastin e adresimit të llogaridhënies për dështimet eventuale.