IKSHP: Ju lutemi, kujdesuni me dashuri për të moshuarit tuaj!

Sot ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë!

Duke qenë se këto masa janë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit tuaj, të familjes dhe popullatës në tërësi, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në aplikimin e tyre.

Në ballafaqimin me pandeminë e COVID-19 këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera dhe të cilat i kanë treguar efektet e tyre.

Prandaj, ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha masave të shpallura dhe të respektoni në përpikëri oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe kur dilni në orët e përcaktuara të lëvizjes, ju lutemi të respektoni masat e distancimit fizik dhe të mos qëndroni në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive tuaja apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve, që të mos rrezikoni veten dhe familjet tuaja!

Të nderuar familjarë të të moshuarve: Ju lutemi kujdesuni për më të dashurit tuaj të moshuar dhe për nevojat e tyre, duke u siguruar që të mos dalin nga shtëpia!

Ju lutemi që t’i përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.

Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju, thuhet në apelin e IKSHPK-së./mediafokus.info