Ipeshkvi i Kosovës ka deklaruar se Kurban Bajrami është një moment i rëndësishëm që forcon respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën dhe vlerat e përbashkëta ndërfetare e ndërnjerëzore.

Ai u ka përcjellë urimet e tij besimtarëve myslimanë në Kosovë dhe në trojet shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve fetare. Sipas tij, festat janë moment reflektimi shpirtëror, që lidhen me sakrificën, faljen, pajtimin dhe bashkimin e njerëzve.

Gjergji po ashtu ka theksuar se është e rëndësishme që në këtë festë të lutet për vendin dhe politikën në Kosovë, në mënyrë që të ketë qetësi dhe përgjegjësi institucionale, duke lënë anash përplasjet politike dhe duke u fokusuar në të ardhmen e qytetarëve dhe fëmijëve.

“Urimet e festën e Kurban Bajramit, gjithë besimtarëve myslimanë kudo që janë në Kosovë dhe në vendet e trojeve tona. Jam këtu për të shprehur urimet tona, mirënjohjen, por edhe urimet tona, gjithë bashkësisë Islame. Kështu që të dëshmojmë edhe njëherë, si gjithmonë, respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën ndërvërtare, gëzimin ndërvëllazëror, bashkëndarjen e dhimbjes dhe gëzimit, edhe në këtë rast bashkëndarjen e ndjenjave të festës, sikur është Kurban Bajrami, sepse çdo festë është një lartësim i shpirtit të drejtë Zotit, krijuesit të gjithëpushtetshëm. Çdo festë është një vetëdije e njeriut për t’u nënshtruar përpara dashurisë, e cila buron nga qielli, dhe sigurisht, gjitha këto përcillen me sakrificë, me falje, me pajtim dhe me bashkëndarje të përveçgjithësive, për të ardhmen që e kemi. Kështu që, është një moment i mirë që së bashku, me Naimin, por edhe me të gjithë të tjerët, në këtë festë të lutemi edhe për vendin tonë, edhe për politikën tonë, që të qetësohet dhe të marrë përgjegjësi dhe mos të vazhdojmë në përplasjen kush ka për të pasur pushtet, po ku do ta çojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të jetës tonë. Faleminderit! Zoti e ruajt të gjithëve e paqja mbretëroftë mbi të gjithë ne”, ka deklaruar ai.