Infermierja gjobitet me 1.000 euro, nuk e respekton izolimin

Një infermiere nga Vushtrria, e cila është konfirmuar pozitiv me Covid-19 para një jave, është gjobitur me 1000 euro, për shkak se nuk e ka respektuar rekomandimin e IKSHP për vetizolim shtëpiak.

Ajo ka dalë në qytetin e Vushtrisë për të bërë shoping, një javë pas konfirmimit pozitiv.

Drejtori i Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti ka thënë se infermierja është punëtore në Emergjencën e spitalit dhe ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Pas një jave vetizolim, dje ka dalë në qytet, ka thënë Ajeti.

Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se infermierja është takuar rreth orës 19:40, në rrugën “Ismail Qemajli” në Vushtrri.

Në konsultim me prokurorinë ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale dhe do të intervistohet kur të kalojë periudha kohore e përcaktuar nga IKSHPK-ja.

E nga mbrëmë, prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, është ndaluar qarkullimi për qytetarët e Vushtrrisë.