Isa Mustafa i kërkon Qeverisë Kurti që t’i rrisë pagat 

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka një kërkesë të qartë për Qeverinë Kurti për të dalë nga kriza ekonomike.

Ai thotë se ekzekutivi duhet t’i rritë pagat në nivel të përqindjes së inflacionit në vend, pasi e mbanë stabile fuqinë blerëse të çdo të punësuari.

Ndarjen e 100 euroshit për punëtorët e sektorit publik, privat dhe studentët, Mustafa e vlerëson jo të frytshme.

“Masat e tilla(100 euro) nuk i ndihmojnë qytetarët që të zbusin problemin e tyre me rritje të çmimeve dhe problemin e inflacionit dhe pagave të ulëta. Nëse qeveria ka dëshirë dhe vullnet që të ndihmojë qytetarët, duhet të rriten pagat. Pra duhet të vjen një vendim i qeverisë për rritje të pagave, pa marrë parasysh se kur vjen ligji i pagave. Në qoftëse inflacioni është 11 apo më shumë për qind, bile pagat duhet të rriten minimum sa është inflacioni, pasi e mban stabile fuqinë e blerëse të çdo punësuari dhe pastaj duhet të shihet si t’iu ndihmohet këtyre tjerëve që s’marrin pagë, pensionistëve, grupeve të margjinalizuara, të papunëve dhe të tjera. Këto janë masa që qeveria ka mundur t’i merr, pasi nëse ka pare që për një ditë t’i ndajë 100 milionë euro ose paguaj rrymën gati 100 milionë euro në veri, atëherë është dashur që qytetarëve t’iu gjendet një zgjidhje”, thekson Mustafa.

Mustafa, jo të duhur e konsideron edhe nismën e opozitës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

“Nuk jam ai që e parapëlqej prekjen e Trustit të pensioneve, pasi është një investim i qytetarëve për të ardhmen. Ata investojnë në mënyrë që kur shkojnë në pension dhe s’kanë paga, ata të kenë një burim të jetesës së tyre…Trustin mundemi të shpenzojmë, por janë mjetet të qytetarëve që kanë kursyer për veti për ditën më të vështira, pra kur shkojnë në pension, pasi s’kanë mundësi të punojnë”, shton ai per KP.