Kjo komunë në Kosovë ofron shërbime për bashkatdhetarët edhe të shtunave

Që nga fillimi i këtij muaji bashkatdhetarët e Komunës së Vushtrrisë do të mund të marrin shërbime administrative edhe të shtunave, në sportele të veçanta të dedikuara për ta.

Për këtë Komuna e Vushtrrisë ka vendosur të zgjasë orarin e nëpunësve të saj dhe ka hapur katër sportele, ku mërgimtarët do të mund të pajisen me dokumentacionet e nevojshme, përcjell Albinfo.ch.

E gjithë kjo po bëhet për t’u ikur vonesave që mund të hasin gjatë kërkesave për t’u pajisur me dokumentacione të nevojshme.

Të shtunën, administratën komunale i vizituan kryetari i Komunës, Ferit Idriz dhe drejtoresha e Administratës, Hava Rruka-Mlinaku.

Me këtë rast, Idrizi tha se po jetësohet një premtim i tij në fushatë, teksa u zotua se do të ketë një përkushtim të vazhdueshëm për diasporën.

E drejtoresha e Administratës në Komunën e Vushtrrisë, Hava Rruka-Mlinaku, tha se këto shërbime do të jenë të hapura deri më 30 shtator, atëherë kur llogaritet se ka më pak mërgimtarë në Kosovë.