Ish-drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu lirohet për herë të tretë nga akuza për korrupsion

Ish-drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu si dhe tre inspektorë të ndërtimit në këtë komunë, janë shpallë sërish të pafajshëm nga Gjykata Themelore, meqë nuk u arrit të dëshmohet se ata kanë kryer veprën penale, e cila u vihej në ngarkesë.

Gjykata Themelore në Gjilan, ashtu si në gjykimin e parë dhe në gjykimin e dytë, i ka shpallur sërish të pafajshëm ish-drejtorin e Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu si dhe inspektorët e ndërtimit në këtë komunë, Baki Azemi, Merita Cana Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, duke i liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës.

Katër të pandehurit akuzoheshin se gjatë periudhës kohore 2013-2014, nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, i cili ka thënë se gjykata edhe pas këtij rigjykimi nuk ka gjetur prova se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, edhe më 30 qershor 2017, në mungesë të provave, i kishte shpallur të pafajshëm dhe i kishte liruar nga akuza katër të pandehurit, të cilët akuzoheshin se nuk kanë ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve ku është tejkaluar leja e ndërtimit.

Ndaj këtij vendimi, prokuroria kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila kishte vendosur që ta kthej rastin në rigjykim.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 8 qershor 2018, ashtu si në gjykimin e parë, edhe në atë të dytë, të akuzuarit në mungesë të provave i kishte shpallur sërish të pafajshëm.

Por sërish, ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Apel kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Gjilan, me ç’rast Apeli edhe njëherë e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të akuzuarit Valon Shefkiu, Baki Azemi, Merita Cana-Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj.

Të akuzuarit, gjatë periudhës kohore 2013-2014 nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit, thuhet në aktakuzën ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror, raportin BetimipërDrejtësi.

Ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu është përballur viteve të fundit me disa akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar në gjyq deri më tani.

Shkaku i këtyre akuzave, Shefkiu e ka humbur pozitën e drejtorit dhe prej disa kohësh gjendet nën masën e pezullimit edhe nga shërbimi civil komunal, ku ai ka punuar për shumë vite, si zyrtar, shef e drejtor i Urbanizmit.