Ishte burrë fjalë pak e vepra shumë

Është përcjellë për në banesën e fundit atdhetari, humanisti e pleqnari Ismajl Veliu (1938), nga fshati Llajshevc.

Mixhën Ismajl e njihnin të gjithë. Me një fjali të vetme, ishte krenaria e kësaj nahije.

Mixha Ismajl ishte njeriu që dha kontribut të pamohueshëm në vitet e tetëdhjeta, një humanist i madh, një burrë fjalë pak e vepra shumë, sidomos pas demonstratave të vitit 1981, ku gjithmonë ishte në ballë të proceseve politike, atdhetare e humanitare.

Periudha tjetër pas vitit 1990 e gjeti mixhën Ismajl prapë në ballë të proceseve të asaj kohe, gjithmonë i pa përtesë, me zemër të madhe dhe gjithmonë i gatshëm të sakrifikohej për popull dhe për Kosovën.

Vitet 1998/1999 prapë e gjejnë Ismalin në ballë të proceseve, gjithmonë e gjithherë aty ku e kërkonte nevoja, aty ishte Mixha Ismajl, i palodhshëm dhe stoik në ballë të fshatit dhe tërë Artanës dhe Gollakut.

U vu në mbështetje të LDK si një lëvizje për liri e pavarësi.

Gjithashtu dha një kontribut të pamohueshëm për UÇK, me ndihma humanitare dhe përkrahje morale.

Forcat paramilitare e paraushtarake gjatë luftës ia kishin plaçkitur e vjedhë gjithë pasurinë, si dhe ia kishin djegur shtëpinë nga themeli.

Pas luftës, mixha Ismajl mori energji nga liria e Kosovës dhe me një punë e përkushtim filloi të merret me blegtori, me çka shumë shpejt e ndërtoi shtëpinë dhe me mund e me djersë ia doli të jetë shembull se si punohet me dinjitet e përkushtim.

Mixha Ismajl ishte edhe veteran me plot meritë i UÇK, andaj garda e FSK e barti trupin e tij deri te varrezat e fshatit Llajshevc./Ajet Avdyli