Ismajli: 45 mantelbardhë në Gjilan mbesin pa punë nga 1 dhjetori, pushteti po e tregon fytyrën e vërtetë
Nga: Arber Ismajli
Komuna e Gjilanit po e dërgon shëndetësinë primare drejt krizës më të thellë të mundshme. Nga 1 dhjetori, 45 mantelbardhë, mjekë e teknikë, që deri tani kanë mbajtur shërbimet shëndetësore në këmbë, po dërgohen në shtëpi sepse Komuna nuk po ua vazhdon kontratat.
Vendim skandaloz dhe dëshmi e keqmenaxhimit të thellë.
Dhe pikërisht, këtu del në pah hipokrizia se dikur ju thoshit këtyre profesionistëve se “nëse ndërrohet pushteti, do të mbeteni pa punë”.
Sot po tregoni fytyrën e vërtetë, që për vota nuk keni limite në përdorim dhe se manipulimi me frikë e shantazh ka qenë vetëm politikë e ulët.
Sepse sot, pa u ndërruar as pushteti, po i largoni nga puna vetë njerëzit që e kanë mbajtur sistemin gjallë.
Përveç tjerash, këta profesionistë nuk janë paguar me rregull për muaj të tërë, e tani po përjashtohen edhe nga ushtrimi i profesionit, duke lënë qytetarët pa shërbime dhe familjet e tyre pa të ardhura.
Ndërkohë, paratë publike po shpenzohen pa plan, si dhurata të babadimrit, ndërsa sektorët kryesorë po rrëzohen.
E njëjta situatë po ndodh edhe me punëtorët e Tregut, të cilët nuk janë paguar me muaj, janë me borxhe e kredi mbi supe dhe janë lënë krejt nën mëshirën e fatit.
Kjo është fyese dhe e papranueshme për një institucion që duhet t’i mbrojë punëtorët, e jo t’i braktisë.
Ju bëjmë thirrje Komunës së Gjilanit të marrë përgjegjësi, të vazhdojë menjëherë kontratat e mantelbardhëve dhe të sigurojë pagat për mbi 300 punëtorët e Tregut.
Komuna duhet të gjejë rrugën ligjore që këta profesionistë të vazhdojnë punën dhe qytetarët të mos mbesin pa shërbime. Mirëqenia e qytetarëve nuk mund të lihet në dorë të vendimeve arbitrare.

