Ismajli: Drejtësia për krimet në Lladovë dhe gjithandej, nuk mund të shmanget përgjithmonë

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka rikujtuar krimet e forcave serbe në Lladovë, më 2 prill të vitit 1999, duke thënë se kaluan 21 vjet dhe drejtësia nuk u vu në vend.

Megjithatë, ai beson se do të vijë edhe ajo ditë, sado që të vonohet.

“Drejtësia për krimet në Lladovë dhe gjithandej nuk mund të shmanget përgjithmonë”, ka thënë Ismajli.

Nga lufta e fundit në vendin tonë, edhe Lladova pësoi me 6 të vrarë nga forcat e regjimit serb.

U bënë plotë 21 vite nga 2 prilli i vitit 1999, të vrasjes makabre të 6 anëtarëve të familjes Ajeti e Mahmuti.

Të vrarët ishin: Beqir Mahmuti (42), Zijadin Mahmuti (35), Daut Mahmuti (35), Hevzi (26) e Ganimete Ajeti (22) dhe Ahmetali Ajeti (37).

Përgjegjësit e këtij krimi dhe shumë krimeve të tjera në vend, ende vazhdojnë të jenë të lirë rrugëve të Beogradit, duke patur funksione shtetërore e funksione në ushtrinë e tyre.

Nga 6 të vrarët në Lladovë, ende nuk është gjetur trupi u pajetë i intelektualit të kësaj ane të Karadakut, Ahmetali Ajeti, duke ia shtuar përvuajtjet familjarëve plotë 21 vite.

Ahmetali Ajeti, ishte kryetar në detyrë i LDK-së në Lladovë, deri në momentin e vrasjes, ku përgjatë viteve të jetës së tij, punoi në afirmimin e kauzës sonë të përbashkët për liri, pavarësi dhe demokraci.

Deri më tani, drejtësia ndërkombëtare dështoi në ndëshkimin e krimeve serbe të ndodhura në Kosovë.

Është skajshmërisht e dhimbshme që pas 21 vitesh drejtësia nuk e ka kryer kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar dhe krimeve tjera në vend.

Vendi dhe familjarët nuk do të ndalen kurrë në kërkim të drejtësisë.

Drejtësia nuk do të mund të shmanget. Ajo ka për t’u vendosur.

Lavdi e përjetshme veprës dhe heroizmit të tyre, përfundon Ismajli./mediafokus.info