Edhe Limaj favorizon formimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse

Presidenti Hashim Thaçi ka vazhduar edhe ditën e dytë takimet me krerët e subjekteve politike parlamentare në përpjekje për të gjetur një zgjidhje kushtetuese për vendin, pas heqjes së besimit ndaj qeverisë Kurti, javën e kaluar, nga Parlamenti i Kosovës.

Pas një bisede telefonike që ka zhvilluar për këtë qëllim me kryetarin e AKR-së, Behxhet Pacolli, i cili gjendet në Zvicër, Thaçi ka takuar kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Limaj tha se ka kërkuar nga presidenti që të respektohet Kushtetuta.

Ai thotë se në këtë situatë, partia në të cilën ai udhëheq është që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Në situatën në të cilën jemi duke marrë qëndrimin edhe të grupeve tjera, Nisma beson që presidenti duhet kujdesshëm të shqyrtojë mundësinë që t’i shmangë zgjedhjet. Kosova në këtë rast ne si drejtues politik duhet të kemi parasysh që të ruajmë kompetencën e secilit institucion”, ka shtuar ai.

Kreu i Nismës, thotë se për këtë temë ka vendosur parlamenti, e nuk mund të vendosin as qeveria e as presidenti.

“Parlamenti është institucioni më i lartë dhe as qeveria as presidenti nuk mund të uzurpojë as të tentojë të mbi vendoset mbi parlament.

Sipas tij, Nisma ka disa kushte nëse i kërkohet të bëhen pjesë e qeverisë së re, që sipas tij, duhet të jetë qeveri gjithëpërfshirëse.