Ismajli: Në Livoç të Poshtëm, Llashticë e Lladovë për t’iu prirë proceseve bashkë

Arbër Ismajli, aktualisht nënkryetar i Gjilanit dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK’së në Gjilan, së bashku me një pjesë të Kryesisë së kësaj partie, po vazhdon vizitat në terren, duke i takuar kryetarët e nëndegëve dhe ekipet e tyre, shkruan Mediafokus.info.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ismajli, i cili është shfaqur i gatshëm për t’u zyrtarizuar kandidat i LDK’së për kryetar të Gjilanit, ka bërë të ditur se ka vizituar Livoçin e Poshtëm, Llashticën e Lladovën.

“U pa një gatishmëri e jashtëzakonshme për të vënë në pah njerëz të dijës, të shkencës dhe njerëz profesionist të cilët dinë të ngrisin imazhin e përfaqësimit qytetar”, ka shkruar Ismajli.

Ndryshe, shefi i Ismajlit, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur në superlativ për të, duke thënë se është pjekur politikisht për të udhëhequr me politika lokale.

“Arbëri është njëri prej kuadrove të reja që LDK e ka ndërtu për 20 vjet. Është gjenerata e dytë në familjen e tij në LDK sepse babai i tij, Ruzhdi Ismajli, ka qenë veprimtar i madh politik. Arbëri ka ndërtu politika komunitare, i njeh mirë politikat lolake, ka menaxhuar me pandeminë, e ka përfaqësu ekzekutivin në 90 për qind e rasteve në Kuvendin Komunal. Unë ia kam dhënë mundësinë. Pra, është pjek politikisht me udhëheq organe lokale”, kishtë thënë Haziri, në një intervistë ditë më parë.

Më poshtë, postimi i Arbër Ismajlit:

Të dashur qytetarë,

Në vazhdën e takimeve të përditshme nëpër nëndegë, sot kemi vizituar kryesitë e nëndegëve në Livoçin e Poshtëm, Llashticë e Lladovë, për të diskutuar për përgatitjet e brendshme për një skuadër e cila garanton kandidatin për kryetar dhe kandidatët më të mirë për asamble komunale, të cilët do të jenë zëri i përfaqësimit të tyre. U pa një gatishmëri e jashtëzakonshme për të vënë në pah njerëz të dijës, të shkencës dhe njerëz profesionist të cilët dinë të ngrisin imazhin e përfaqësimit qytetarë. Do të jemi bashkë në takime në çdo vend, për t’i takuar kryesitë e nëndegëve, qytetarët dhe aktivistët për t’iu prirë proceseve bashkë, duke garantuar planprogram të mirëfilltë dhe njerëz profesionist afër vetës, që të vazhdojmë t’iu dalim ballë kërkesave dhe nevojave të çdo qytetari.

#bashkeiadalim