Ismajli: Qëndrimi në shtëpi dhe shtimi i masave higjienike, mënyra më e mirë për tejkalimin e pandemisë

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli u ka bërë thirrje qytetarëve që t`u përmbahen masave të ndërmarra nga autoritetet qendrore dhe komunale, derisa të tejkalohet kjo gjendje e pandemisë.

“Qëndrimi në shtëpi dhe shtimi i masave higjienike, janë mënyra më e mirë për tejkalimin e pandemisë”, ka thënë Ismajli.

Për më tepër, ai ka thënë se së bashku me ekipin, kemi vizituar ekipet në terren të QKMF-së, jemi takuar edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, me Spitalin Regjional dhe institucionet tjera dhe me këtë konfirmohet se gjendja është e qetë dhe nuk ka vend për panik në asnjë moment.

Deri më tani nuk ka asnjë rast me COVID 19 dhe nuk ka nevojë për panik.

Gjithashtu, në bashkëpunim me kompanitë private është bërë dezinfektimi i rrugëve dhe trotuareve, është përfunduar tashmë dezinfektimi i të gjitha objekteve publike të Komunës së Gjilanit dhe atyre shëndetësore, duke përfshirë edhe institucione tjera në nivelin lokal.

Luten qytetarët për maturi, dhe t’i respektojnë kërkesat e institucioneve për qëndrim në shtëpi, për shtim të masave higjenike, e cila mbetet mënyra më e mirë për tejkalim të kësaj gjendje.

Shëtitjet, takimet familjare dhe shoqërore të evitohen deri sa të kalojë kjo situatë me të cilën po ballafaqohet vendi ynë, ka thënë Ismajli./mediafokus.info