Itali, një i burgosur me origjinë nga Kosova arratiset nga spitali, dyshohet se i mashtroi gardianët
Një i burgosur 23-vjeçar me origjinë nga Kosova është arratisur nga spitali i Bolzanos në Itali në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pasi dyshohet se kishte mashtruar gardianët për të dalë nga burgu, transmeton albinfo.ch.
Sipas mediave italiane, i riu kishte pretenduar se kishte gëlltitur detergjent, çka bëri që ai të dërgohej në repartin e urgjencës për kontroll mjekësor. Pas ekzaminimeve dhe gjatë kohës që po mbahej nën vëzhgim në spital, ai shfrytëzoi një moment pakujdesie rreth orës 03:00 dhe u largua nga objekti pa u vënë re.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentin e arratisjes, ndërsa hetuesit po i analizojnë ato për të përcaktuar drejtimin e lëvizjes së tij.
Menjëherë pas incidentit, policia italiane ndërmori një operacion të gjerë kërkimi në zonën e Bolzanos, ku u angazhuan policia, karabinierët dhe policia hekurudhore.
23-vjeçari ishte arrestuar më 1 maj dhe po hetohej për vepra të rënda penale, përfshirë rrëmbim dhe zhvatje ndaj familjes së bashkëshortes së tij. Gjatë arrestimit, autoritetet kishin sekuestruar edhe një sëpatë të vogël në automjetin e tij.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetime edhe për të sqaruar rrethanat e arratisjes, si dhe për të verifikuar përgjegjësinë e personelit që kishte për detyrë mbikëqyrjen e të burgosurit. Sipas mediave italiane, ky është rasti i katërt i arratisjes nga burgu i Bolzanos brenda një viti.

