Ja kush janë kandidatët e LVV nga Gjilani për deputetë

Qendra e LVV në Gjilan ka vendosur sonte me vota për kandidatët për deputetë nga kjo komunë.

Mediafokus merr vesh nga burimet e veta se numrin më të madh të votave e kanë siguruar Arbëresha Kryeziu Hyseni, Arijeta Rexhepi, Nehat Osmani e Luan Aliu.

Nehat Osmani e Luan Aliu kanë numër të barabartë të votave dhe i mbetet Kryesisë Qendrore të vendosë për rastin e tyre, që sipas të gjitha gjasave, mund të përfshihen të dy në listën finale.

Kryeziu ishte deputete edhe në përbërjen e fundit, ndërsa Rexhepi e Osmani aktualisht janë këshilltarë komunalë.

Kryetari i Qendrës, Nevzad Isufi, aktualisht këshilltar komunal, nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm të votave për të hyrë në listë, sikurse as deputetët e deritashëm, Labinotë Demi Murtezi e Alban Hyseni dhe as ish-deputeti Ismail Kurteshi.

Një e katërta e listës së kandidatëve për deputetë plotësohet nga Kryesia Qendrore në Prishtinë. /Mediafokus.info