Ja si mund t`i fitojnë nga shteti tri paga punëtorët pa kontrata

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka dhënë sqarime në lidhje me pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, e cila u hartua për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset për përballjen me pasojat e pandemisë COVID-19.

Ministri ka sqaruar se shumë pyetje kanë qenë nga punëtorët të cilët punojnë pa kontrata dhe nga ata të cilët kanë humbur vendin e punës si pasojë e gjendjes së krijuar nga coronavirusi.

Në këtë pako të emergjencave parashihet ndihmë edhe për punëtorët pa kontrata por edhe për ata që humbin vendin e punës në kohë të pandemisë, ka sqaruar Bislimi.

“Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos)”, sqaron Bislimi.

Edhe për punëtorët që kanë punuar tërësisht në “të zezën”, qeveria do t’ua mundësoj punëdhënësve që t`i fusin në listat e tyre të pagave për muajin mars.

“Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare. Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës. Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos (shiko shpjegimin numër 3)”, shkruan Bislimi.

Masat e marra nga Qeveria e Kosovës, në mes të muajit mars për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, ka ndikuar edhe në bizneset kosovare, dhe për më tepër ka ndikuar në atë masë sa puëntorët kanë humbur edhe punën e tyre.

Në pakon emergjente është paraparë që edhe këta punëtorë të përfitojnë nga kjo pako, me kusht që të plotësojnë disa kushte.

“Nëse ka punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mesin e marsit 2020, atëherë këta punëtorë përfitojnë nga masa e tetë e pakos emergjente në shumën e 130 euro për tre muajt e ardhshëm (gjithnjë nën supozimin se në ndërkohë nuk krijojnë marrëdhënie të re të punës). Ministria e Financave dhe Transfereve do të del shumë shpejt me elaborimin e procedurave (shumë të thjeshtësuara) për aplikim. Qeveria inkurajon punëdhënësit që sa herë të jenë në gjendje, të ruajnë fuqinë e tyre punëtore, meqë në afat të mesëm kjo u levërdisë edhe vetë bizneseve”, thuhet në sqarimin e Bislimit. /mediafokus.info