Jemi pushtuar nga narcisoidët

Shkruan: Nijazi Idrizi

Është mbushur politika, administrata shtetërore, universitetet, bizneset politike, shoqëria civile, e madje edhe kafeteritë me narcisoid.

Këta trupa me kostume, e kanë pushtuar shtetin dhe organizimet e shoqërisë.

Një grusht harambashësh i kanë nxitur dallkaukët që të rendin drejt majave të shtetit dhe shoqërisë kudo, ti shkelin parimet, kriteret, rregulloret, ligjet, kushtetutën, e madje edhe traditën e mirë shqiptare.

Për ti përligjur aktet vandale, ata u pajisën me diploma shkollash e universitetesh në mënyrë të paligjshme.

Madje ta thonë troç: ”Nuk kam lexuar asnjë libër që nga fillimi i luftës”!

Me arritjen e këtyre objektivave këta njerëz i zuri deliri i madhështisë dhe u bënë narcisoid.

Ata, tani janë të bindur se bota sillet rreth tyre dhe askush më nuk është i rëndësishëm për ta. Janë zot e mbretër!

As që mund ta imagjinojnë refuzimin e tyre nga askush sepse mendojnë se janë të pazëvendësueshëm.

Lartësitë nga ku ata sundojnë, i konsiderojnë si vende për të rënë në sy.

Prandaj ata duan luks, rroba marke dhe me të drejt thonë se: ”Rrogat nuk na dalin as për kravata”.

Për pozicionimin e tyre ata ndiqen vetëm nga interesat personale, të cilat janë fitime parash, asgjë tjetër.

Të gjithë kanë frikë të vazhdueshme nga dekonspirimi i imazhit që e krijojnë përmes prapësive që i thurin.

Prandaj i shmangen debatit në grup, sepse çkado që të thuhet aty, ata për shkak të kompleksit të inferioritetit, e marrin si cenim të personalitetit të tyre të madh.

Shumica nga ata, kurrë në jetën e tyre nuk kanë bërë punë menaxheriale.

Për ta kompensuar këtë i përdorën grupet e shkollës shtetërore serbe, të bindur se ata për shkak të veprimtarisë antikombëtare, “dinë të shërbejnë mlrë”. Por ndodhi e kundërta dhe ata ranë në prehrin e këtij soji.

Të tillët i profilizuanë në nivelet më të larta të vendimmarrjes, me çka e bënë Serbinë hisedare në qeverisjen e shtetit të Kosovës.

Këta njerëz egoist e kanë uzurpuar edhe debatin në ekrane, katedra, ndeja e madje edhe në familje.

Kudo tema të vetme duhet të jenë bëmat nga e kaluara e tyre, të cilat i stisin dhe i ngarkojnë me rrëfime të të tjerëve.

Bisedat për të ardhmen janë minimizuar ekstremisht. Për tu dukur se janë intelektual, i paguajnë shkrimet që dalin në emër të tyre në gazetat dhe portalet më të lexuara.

Për më shumë, e porosisin rrethin e tyre të bëjnë ”llajka” dhe i kontrollojnë ato për ti identifikuar vartësit më besnik.

Narcisoidët janë balona të zbrazët. Nuk kanë identitet të vetin.

E ndërtojnë personalitetin dhe e fitojnë besimin duke ua marr atë të tjerëve. Për më keq, i kanë nën kontroll edhe dëshmorët.

Çdo narcisoid e ka heroin e vet, nga i cili merr fuqi për të përfituar.

Historitë e Rexhep Malës, Kadri Zekës…dhe shumë heronjve të UÇK-së, kanë mbetur peng të disa individëve të cilët në përvjetore i shpalosin të njëjtat histori, duke ua zënë vendin të tjerëve të flasin për ta.

Prandaj bëmat e tyre janë pak të njohura.

Ata nuk e kanë ndjenjën e falënderimit për ndihmën dhe mbështetjen që u jepet nga kushdo. Atë e harrojnë në çast. Vetëm bëmat e tyre janë të rëndësishme dhe me vlerë.

Ata janë frikacak të pashoq. Por më së shumti i frikohen kritikes e cila mund ti shpërlaj në sytë e opinionit.

Për ti goditur kundërshtarët nën brez i përdorin njerëzit e ndershëm e patriot, të cilët janë idealist të pasherr, të cilëve iu japin “informata taze”.

Kur gabojnë dhe kritikohen, krijojnë drama dhe fajësinë e hedhin te të tjerët. Shembulli i fundit është ky i skandalit të njohjes së Kosovës nga Xhamajka.

Të gjithë kanë frikë të vazhdueshme nga dekonspirimi i imazhit që e krijojnë përmes prapësive që i thurin.

Prandaj i shmangen debatit në grup, sepse çkado që të thuhet aty, ata për shkak të kompleksit të inferioritetit, e marrin si cenim të personalitetit të tyre të madh.

Narcisoidët tanë, sa më të moshuar që janë, aq më të papërmbajtur bëhen, sepse kanë frikë nga pleqëria e cila ua rrënon hijeshinë, kujtesën, fuqinë.

Për ta shtyrë atë, investojnë shumë në operacione plastike dhe bëjnë be se janë “origjinal”.

Krejt kohën e qojnë në debate të pafund për meny e celuloid. Kur ajo iu bie fort në qafë, atëherë i pozicionojnë familjarët e edhe fëmijët e tyre, sa më lartë, duke shpifur ministri, agjenci, borde, koordinatorë.

Në anën tjetër, ata ekzalton nga lavdet që iu bëhen në sy, por edhe më shumë në prani të publikut. Me të tillët dalin në foto, ku kapardisen si gjela.

Në debatet publike kërkojnë që t’iu lexohet një pjesë e biografisë paraprakisht me qëllim që të dihet me kënd kanë punë.

“Aktivitetet” e tyre politike e administrative, i ndjekin vartësit, e pastaj edhe grat e tyre, me fotoaparate në duar, nëpër ahengje ku shkreptinë blici.

Ata, me buzëqeshje të ngrira i ekspozojnë në rrjetet sociale.

Me këtë punë, kokonat e tyre hapin debate sidomos me ata shatcat kodosh, të cilët i mashtrojnë me premtime dhe i rrjepin egërsisht.

Këta, këshillat nuk i duan, sepse të gjitha i dinë, janë të përkryer. Por pasi të “harrohen” dhe vjetrohen disa nga to, edhe i përdorin si mendime origjinale të tyre.

Kur flet tjetri, nuk e dëgjojnë, ose e dëgjojnë shkurt sa për tu kapur në ato pak fjalë, për të cilat grinden dhe e përmbysin kuptimin e temës, duke lënë nam për hiçgjë.

Janë të papjekur dhe të zorshëm për komunikim. Nuk lejojnë që tjetri të ofroj mendim ndryshe për çështjet. Në 2-3 fjalët e para ndërhyjnë me akuza dhe pastaj ik koha me grindje.

E veçanta tjetër e tyre është se ata nuk kanë ndjenja për njeriun. Janë të ftoftë akull. Kur hipin në bina ata poshtë iu duken “sikur buburreca”, prandaj edhe flasin fjalë të mëdha, të pa lidhura me ndonjë përmbajtje.

Këta njerëz me zemër të zbrazët, kanë sjellë krizë morale dhe e kanë humbur entuziazmin e të rinjve për perspektivën e jetës në Kosovë. Për të mbijetuar, po e nxisin zbrazjen e Kosovës.

Ata nuk qajnë kokën pse ky qëllim është kompatibil me atë të Rusisë dhe Serbisë, i cili i ka rrënjët te ideja e vjetër e shfarosjes së rinisë shqiptare me kryengritje të shpeshta, e cila ishte pengesa e vetme për depërtimin e tyre në Adriatik.

Sot në kohën e globalizimit, ajo është zëvendësuar me atë të degdisjes së saj nëpër botë, pas dëshpërimit.

Narcisoidët janë të zorshëm. Injorimi i tyre, si metoda më e mirë për t’iu shmangur, në ditët e sotme është i pamundur, për shkak se këta janë kudo: në institucionet e shtetit, në mediume, në shoqërinë civile.

Por, tashti një erë ka filluar ti bëjë me dhimbje koke, me të cilën nuk ishin mësuar. Se a do ti lagë, kjo do të shihet shpejt!