Jeta nuk falë, ajo kthen gjithçka që i jep

Nga Adelina Pali

Sot është bërë thuajse normale, dhe kjo është ajo që e bën të dhimbshme, të shohësh një brez që harron rrënjët.

Harron ata që i rritën, i edukuan, i mbajtën mbi supe për vite me radhë, me dashuri e sakrificë.

Gjyshi dhe gjyshja janë shndërruar në pjesë të “mobilimit” të shtëpisë: gjithmonë aty, gjithmonë në shërbim, të dobishëm kurdoherë.

Është kthyer në një lloj mode që prindërit të trajtohen si aplikacione ndihme: klik, dhe ja ku janë.

Gati për të mbajtur fëmijët, për të bërë pazarin, për të pastruar shtëpinë, për të duruar lodhjen dhe kapriçot e tua.

Jo moj zonjë e llastuar, jo mor zotëri modern: prindërit nuk janë dado me orar pa fund, nuk janë taksi personale, nuk janë robotë të palodhur.

Janë njerëz! Janë lodhur mjaft duke të rritur ty, dhe nuk kanë asnjë borxh të nisin një turn të dytë jetese vetëm sepse ti nuk do të sakrifikosh as pak nga vetja.

Dëgjon shpesh: “Po shkoj me pushime, por do marr dhe prindërit me vete, se ndryshe s’pushoj dot me fëmijët.”

A thua se ata janë pengesa që të ndajnë nga liria.

Pse nuk thua ndryshe: “Do t’i marr me vete që të pushojnë pak, se gjithë vitin lodhen me nipërit e mbesat”?

A nuk u mjafton që ju rrisin fëmijët, që ju mbajnë shtëpitë, që ju ndihmojnë për çdo hall? Nuk është turp të marrësh ndihmë nga prindërit.

Turp është t’i shfrytëzosh. Fyerje është ta trajtosh nënën si roje fëmijësh dhe babain si shofer personal, pa pyetur as si ndihen, as çfarë duan.

Lërini gjyshërit të shijojnë nipërit dhe mbesat por jo si roje turni, si prindër që më në fund mund të gëzojnë pa ngarkesë.

Kujt ia lë këtë barrë? Gjyshit që mezi ecën? Gjyshes që mezi merr frymë nga lodhja? Dhe e bën me buzëqeshje, sikur është normale?

Po pse nuk thua troç: Po shkoj të pushoj, dhe po marr me vete prindërit si shërbëtorë. Tingëllon rëndë, apo jo? Sepse është e padrejtë.

A mos e ke ngatërruar pushimin me një kamp pune?

Për disa, gjyshërit janë “të vlefshëm” vetëm kur duhen për punë. Kanë dhënë jetën për ty…dhe ti ua kthen me një turn të dytë në shtëpinë tënde.

Mos e quaj “ndihmë” atë që është shfrytëzim i pastër. Edhe kafsha lodhet, pushon. Gjyshi yt jo?

Ka nëna që punojnë 12 orë dhe rrisin fëmijët bashkë me burrin, pa pasur askënd për ndihmë. Ia dalin, jo sepse është e lehtë, por sepse është detyrë.

Po ti? Me dy rroga, dy gjyshër, dy pasaporta dhe prapë s’je i kënaqur? Çfarë do më shumë? Të jetojë gjyshja në kuzhinë dhe gjyshi në park, me karrocën e fëmijës në dorë?

Lërini të marrin frymë. Të shijojnë ditët që u kanë mbetur…jo me lodhje, por me qetësi.

Dashuria për nipërit e mbesat është bekim, por jo kur vjen me pranga dhe listë detyrash në frigorifer.

Mos bëj fëmijë nëse nuk je gati të japësh kohë, gjumë, nerva, përkushtim.

Fëmijët nuk janë dekor për Instagram. Janë jetë…që kërkojnë ty, jo gjyshërit.

Sepse një ditë do të jesh ti në vendin e tyre. Dhe kur fëmijët e tu të të shohin vetëm si ndihmës shtëpiak me flokë të bardhë, mos thuaj që s’të paralajmëroi jeta.

Ajo nuk fal, ajo kthen gjithçka që i jep. Mos e përdor prindin si karrocë për fëmijët. Se kur të kesh nevojë për një krah… ai mund të mos jetë më.