Ka ndërruar jetë gazetari Hasan Bunjaku
Ka ndërruar jetë sot në moshën 80-vjeçare doajeni i gazetarisë Hasan Bunjaku nga Gjilani.
Hasan Bunjaku u lind më 01. 01. 1944, në Desivojcë të Dardanës, ndërkaq që, më 1949, bashkë me familjen, shpërngulet në Gjilan, ku i kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm, SHLP në Prizren, e më pastaj edhe Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Për një kohë punoi arsimtar e më pastaj gazetar në Radio-Gjilani e Rilindja, për ta përmbyllur karrierën e tij si zyrtar komunal për zhvillimin e arteve.
Në vitin 1968-70, inkuadrohet në Teatrin e Gjilanit, ku ishte pjesë e aktrimit në tri shfaqje.
Në vitin 1992, bashkë me shokë, themeloi Shoqatën e Pavarur Kulturore, e më pas edhe manifestimin Kulturor “Flaka e Janarit”.
Më 01. 11. 1999, ideoi dhe themeloi Radio Megavox, ku punoi si redaktor, kurse nga 01. 03. 1991 punoi Drejtues i Sektorit të Kulturës në DKRS.
Më 01. 01 2009 pensionohet, por nuk e lë anash kurrë veprimtarinë diskurzive.
Hasan Bunjaku është emër i veçantë i jetës kulturore dhe i gazetarisë në Gjilan.
Teatri i Gjilanit ka qenë shtëpia e dytë e tij, ku ka dhënë kontributin e tij prej publicisti, gazetari, përkthyesi, aktori e shumë detyra të tjera të rëndësishme për jetën kulturore.
Vokacion krijues e pati lëmin e artit dhe kulturës, të cilave ua kushtoi tërë jetën.
Ishte po ashtu redaktor i revistës për art, kulturë, shkencë e teologji “Drita e jetës”, dhe redaktor i përhershëm i edicionit të “Dritës”, në pesë bibliotekat e të cilës panë dritën e botimit 43 vepra, ndërkaq qe recensues i pesë i veprave letrare.
Hasan Bunjaku, do të mbetet emër i veçantë i jetës kulturore e publike në Komunën e Gjilanit./Mediafokus.info

