Ka ndërruar jetë mjeku Fadil Zuka

Ka ndërruar jetë mjeku Fadil Zuka. Komuna e Vitisë e ka pritur me pikëllim të thellë lajmin për humbjen e Dr. Fadil Zukës.

Pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë sot doktor Fadil Zuka nga Pozherani i Vitisë, kështu kanë njoftuar të afërmit e tij përmes rrjetit social Facebook.

Dr. Fadil Zuka i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin të persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për të ju shërbyer popullatës shqiptare në vitet e 90-ta.

Zuka në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulanten e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, pastaj në Pozheran.

Kryetari Sokol Haliti, përmes një telegrami, iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Zuka, të afërmve, kolegëve të punës dhe të gjithë miqve të tij.

“Me trishtim kemi marrë lajmin e rëndë për humbjen e një personi me vlera të pakontestueshme njerëzore e profesionale. Dr. Fadili ka dhënë kontribut të çmuar si humanist dhe aktivist i hershëm në kohën e okupimit, gjatë viteve ’90-a, si pjesë e sistemit shëndetësor në kuadër të Shoqatës “Nëna Terezë”. Ai do të kujtohet gjithmonë për sjelljet e mira dhe çasjen profesionale edhe si mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Viti. Për këtë do t’i jemi mirënjohës përgjithmonë. Me kalimin e doktorit tonë të dashur në amshim, shoqëria ka humbur shumë, prandaj ai do të na mungojë të gjithëve”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me rastin e vdekjes së Dr. Fadil Zuka.