Kaceli: Do të jem zë i arsyeshëm i futbollit të Anamoravës në Komitet

Naser Ajeti – Kaceli, që e fitoi garën në mbrëmjen e të hënës për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka premtuar mbështetje të madhe për futbollin e Anamoravës.

Në një prononcim për Mediafokus.info, ikona e SC Gjilanit i njohur me nofkën Kaceli, ka thënë se është ithtar i drejtësisë

“Përvoja ime në futboll, si lojtar aktiv e një kohë edhe në udhëheqësi të para e pas luftës, domethënë që tash në Komitet është një zë i arsyeshëm për të përfaqësuar rajonin e Anamoravës, ashtu qysh i ka hije futbollit të Kosovës. Unë jam ithtar i drejtësisë dhe besoj që futbolli i Anamoravës do ta fitojë një vëmendje më të madhe në mënyrë meritore”, ka thënë Ajeti.

Në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Futbollit, Naser Ajeti mori vetëm një votë më shumë se Bekim Rexhepi, por që i mjaftoi për t’u zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Naser Ajeti – Kaceli ka qenë lojtar i suksesshëm i gjeneratës së artë të SC Gjilani. /MediaFokus/