Kaq persona të Anamoravës po i presin rezultatet e testeve të COVID-19  

Regjioni i Anamoravës është prekur nga virusi Covid-19 dhe sipas profesionistëve të shëndetësisë, po menaxhohet në mënyrën më të mirë.

Ky regjion sot po i pret rezultatet e testeve për 37 persona, prej të cilëve, 13 janë nga Gjilani, 14 nga Vitia dhe 10 nga Kamenica.

Epiedemiologia Burbuqe Shkodra, e cila punon në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, ka thënë për Mediafokus.info se situata është nën kontroll dhe shpreson që rezultatet e testimit të dalin negative.

“Po i presim rezultatet dhe shpresojmë që të dalin negative. Situata në regjion është e qetë dhe nuk e kemi pasur assnjë rast për Klinikën Infektive. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me personat që kanë rezultuar pozitive dhe po i zbatojnë rekomandimet tona”, ka thënë Shkodra.

Ajo ka treguar se disa persona ndhen të turpëruar shkaku që janë infektuar me COVID-19.

“Po frikësohen se po i distancon rrethi. U kam shpjeguar se kjo është një sëmundje që nuk ka vend për turp. Secili prej nesh jemi në rrezik potencial për t’u infektuar. Tani po qetësohen”, thotë dr, Burbuqe Shkodra për Mediafokus.info.

Ndryshe, të premten nga Gjilani janë marrë dy mostra (negativë), 3 në Kamenicë (negativë) dhe 12 në Viti, nëntë prej të cilëve dolën pozitivë./Mediafokus.info/