KEDS u ‘gjuhet’ konsumatorëve me tarifën “corretion” pas ndërrimit të njehsorëve

Qytetarët ankohen se KEDS po i ngarkon me tarifa shtesë, në emër të ‘korrigjimit’ pasi ka zëvendësuar njehsorët e vjetër, të cilët nuk ishin të sinkronizuar me kohën reale, sipas të cilës bëhet llogaritja e tarifave.

Kjo i ka ndodhur të paktën një konsumatori në Gjilan, i cili në emër të “corretion” është ngarkuar me 31,59 euro.

Fatura është bosh dhe nuk përmban asnjë shënim tjetër, as kilovatët e harxhuar, të cilët, sipas zyrtarëve të KEDS-it, nuk i paska regjistruar njehsori, as periudhën kur janë harxhuar ata kilovatë, asnjë dëshmi, fare.

Konsumatori DGL 76 ka bërë ankesë në KEDS dhe ka kërkuar sqarime, si është e mundur të ‘gjobitet’, në vend se të kompensohej si palë e dëmtuar, të paktën për periudhën prej kur ka dërguar kërkesë për verifikim të orës së njehsorit.

Sipas ligjit, thotë ky konsumator me shifrën DGL 76, operatori është përgjegjës për pajisjen matëse dhe leximin e saj, jo qytetari.

Për më tepër, ai kaherë ka pasur dyshime se njehsori nuk po i ‘lexon’ mirë tarifat, sepse gjithmonë është kujdesur të shpenzojë me tarifë të ultë, por gjithmonë ka paguar më tepër kilovatë me tarifë të lartë.

“Kaherë kam pasur dyshime se ora e njehsorit nuk ishte e sinkronizuar me kohën reale. Si pasojë, kam qenë i ekspozuar ndaj faturimit me tarifë të lartë në periudha kur, sipas kohës reale, do të duhej të aplikohej tarifa e ulët”, thotë ai.

Për këtë ka paraqitur ankesë dhe ka kërkuar verifikimin e njehsorit më datë 02.08.2025, tiketa nr 1977251.

Por, vetëm pas rreth 10 muajsh [maj 2026], operatori e ka larguar dhe zëvendësuar njehsorin, pa e njoftuar paraprakisht dhe pa i dhënë mundësi konsumatorit të jetë i pranishëm gjatë heqjes së pajisjes.

Për habinë e tij, pas rreth dy muajsh, i është lëshuar faturë me një shumë prej 31,59 €, e shënuar vetëm si “corretion”, pra në anglisht, edhe pse kjo nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë as për KEDS-in.

Për këtë shumë nuk i është dhënë asnjë dokument që tregon: periudhën për të cilën bëhet korrigjimi, kilovatët që pretendohet se nuk janë faturuar, tarifën me të cilën është bërë përllogaritja, mënyrën dhe formulën e përllogaritjes së shumës prej 31,59 euro, as raporti teknik i testimit të njehsorit.

Sqarimi gojor në KEDS se kinse njehsori nuk e paska regjistruar saktë harxhimin, nuk është dëshmi se konsumatori ka shkaktuar apo ndikuar në ndonjë parregullsi të njehsorit.

KEDS-i është pronar i njehsorit, punëtorët e saj e kanë lexuar njehsorin çdo muaj dhe ku tani i gjetëm ata kilovatë që pajisja nuk i paska treguar.

Madje, nuk përmenden kilovatë fare, por vetëm shuma 31,59 euro me shënimin ‘corretion’ dhe njoftimi se ‘nesër është afati i fundit për pagesën e borxhit’.

Konsumtaori, përmes një ankesë me shkrim, i ka kërkuar KEDS-it që të anulojë ‘borxhin’ prej 31,59 € në llogari të tij, ose në të kundërtën t`i dorëzohet kopja e plotë e procesverbalit të largimit të njehsorit të vjetër, raporti teknik i testimit/verifikimit të njehsorit, sikurse kërkon shpjegim me shkrim se si është përllogaritur saktësisht kjo shumë, duke specifikuar kWh, periudhën, tarifën dhe metodën e përllogaritjes, t`i sqarohet se çfarë të dhënash të njehsorit të vjetër janë përdorur për këtë ‘korrigjim’.

Po ashtu ai do sqarime nga KEDS-i se si është trajtuar fakti se ora e njehsorit ka qenë e pa sinkronizuar me kohën reale, problem për të cilin operatori ka qenë i njoftuar qysh në gusht të vitit të kaluar.

Nëse pretendohet se ka pasur konsum të pa faturuar, ai kërkon t`i paraqitet prova teknike dhe dokumentare që e vërteton këtë, si dhe t`i sqarohet se si është dalluar një konsum i tillë nga një gabim i pajisjes matëse ose i konfigurimit/sinkronizimit të saj.

Përndryshe, thotë ai, të gjitha faturat i ka paguar me kohë e me rregull.

Për më tepër ai e konsideron veten palë të dëmtuar nga leximi i gabuar i njehsorit dhe tani, në vend se të kompensohet, po ngarkohet me një shumë shtesë në emër të ‘corretion’.

Rregullat e ZRRE-së parashohin mbrojtjen e konsumatorit dhe mundësinë që gjatë shqyrtimit të ankesës të kërkohen dokumente dhe informacione të nevojshme për të sqaruar kontestin.

Në këto rrethana, ai ka kërkuar që çështja të shqyrtohet në mënyrë të plotë dhe transparente dhe që asnjë detyrim financiar të mos i ngarkohet pa një bazë të dokumentuar, të verifikueshme dhe të arsyetuar.

Në rast se kërkesa e tij nuk merret parasysh, konsumatori thotë se do t`i drejtohet Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shqyrtim të mëtejshëm dhe më tutje Gjykatës kompetente./Mediafokus