KEK-u: Sonte në mesnatë ndalet njësia A4 e TC Kosova A, do t’i nënshtrohet një remonti të rregullt vjetor

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar për një “remont vjetor” në njësinë A4 të Termocentralit Kosova A që do të fillojë sonte në mesnatë.

KEK-u njoftoi se kjo njësi do t’i nënshtrohet “remontit të rregullt vjetor” në kuadër të “aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat kur kërkesat për energji elektrike shënojnë rritje, si dhe në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE)”.

Remonti vjetor i njësisë A4, sipas KEK-ut “përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KEK-ut për ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin”.

“Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese, synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor. KEK mbetet i përkushtuar që, paralelisht me projektet madhore të modernizimit që po zhvillohen në kapacitetet gjeneruese në TC Kosova B, të vazhdojë realizimin e aktiviteteve të rregullta të mirëmbajtjes edhe në njësitë e TC Kosova A, me qëllim të sigurimit të operimit të tyre të besueshëm, të sigurt dhe afatgjatë”, thuhet në njoftim.