Këngëtari shqiptar shërohet nga koronavirusi, vendos të dhurojë plazmën

Këngëtari Jetmir Hyseni, pasi fitoi betejën me Koronavirus, ka vendosur të ndihmojë të gjithë të infektuarit duke dhuruar plazmën e tij.

Këtë vendim e ka marrë pasi përjetoi vuajtjet fizike në spitalin infektiv në Prishtinë së bashku me mikun e tij, që gjithashtu rezultoi mbartës i virusit.

I ftuar në “Vizioni i Pasdites”, Hyseni zbuloi se tashmë ata janë jashtë rrezikut dhe kanë vendosur të dhurojnë gjakun sapo të dalin nga vetëkarantinimi.

“Në qendrën infektive kam qëndruar vetëm 6 ditë, pastaj me një shok timin, nga jashtë infektivit. Edhe ai doli negativ një javë pas meje. Së bashku me atë, pas vetëkarantinimit kemi vendos ta dhurojmë plazmën, për të ndihmuar njerëzit në gjendje të rëndë.”

Jetmiri tregoi se ka vetëm pak ditë që është rikthyer në shtëpinë e tij, pas testit të fundit që kreu ku doli dhe negativ ndaj covid-19.

Sipas tij, është infektuar nga koronavirus teksa ishte në një udhëtim pune në Gjermani. Megjithatë, personi që ja ka transmetuar virusin është ende i panjohur për të.

“Që nga 12 marsi kam qenë në gjermani, udhëtim pune. Kam pas kontakt me shumë persona. Pasi u mbyllën linjat, unë nuk munda me ardh në Kosovë. Qëndrova 8 ditë andej. Aty mora virusin, pasi kam pasur kontakt me shumë njerëz… Ende nuk e di shkakun se kam pas kontakt me persona që nuk i njoh, kontakt pune. Dhe nuk komunikoj me ta t’i pyes a janë mirë apo jo”

Këngëtari tregoi se pasi u kthye nga Gjermania, u vendos në qendrën e studentëve në Prishtinë. Vetëm dy orë pas vendosjes në konvikt, i filluan dhe simptomat e rënda si temperaturë, ethet, dhimbje muskujsh etj. Sipas tij, kanë kaluar 4 ditë nga testi i fundit ku doli dhe negativ, ndërsa tani është në pritje të komunikit të Insitutit Infektiv në Prishtinë për të kthyer testin e ardhshëm./mediafokus.info