Kërkohet masa e paraburgimit për djalin që vrau me sëpatë babanë
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit për personin me çrregullime mendore dhe kërkesë për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrusheshëm psikiatrik për personin me inicialet M.R., që dje vrau me sëpatë babanë e tij.
Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku dyshohet se personi me inicialet M.R., ka privuar nga jeta viktimën me sëpatë, mjet ky i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, njofton Klan Kosova.
Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda të kësaj prokurorie, ka lëshuar urdhëresë për obduksion. Ndërsa, për të dyshuarin ka paraqitur kërkesë për ekzaminim psikiatrik.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.

