Kërkohet paraburgim ndaj kryetarit të Komisionit për demarkacion me Malin e Zi
Prokuroria ka kërkuar dënimin e drejtoreshës së Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP), në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Miradije Meha dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha për deklarim të pasaktë të pasurisë ndërsa, mbrojtja lirimin e tyre.
Një deklarim të tillë, prokurori Besart Mustafa dhe mbrojtësi i të akuzuarës Miradije Meha, avokati Ibrahim Dobruna e kanë dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë dhënies së fjalës përfundimtare.
Ndryshe, në fillim të seancës është dhënë mbrojtja e të akuzuarit Meha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Meha, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mustafa ka thënë se deklarimin e pasurisë e ka bërë duke vepruar sipas ligjit.
“Pikërisht sipas ligjit kam vepruar dhe kam deklaruar pasurinë në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, ka thënë i akuzuari Meha.
I njëjti ka shtuar se e ka deklaruar pronën kur ajo është regjistruar në dokumentacionin kadastral.
“Pasurinë e kam deklaruar kur ajo pronë është regjistruar në dokumentacionin kadastral sepse duke u bazuar në udhëzuesin e AKK-së në vitin 2015 është kërkuar shprehimisht që secila pasuri e paluajtshme duhet të deklarohet në formularët e deklarimit të AKK-së edhe ajo që është e regjistruar në kadastër edhe ajo që nuk është e regjistruar në kadastër”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

