Këshilla e dietologes: Vaktin e mëngjesit mos e anashkaloni asnjëherë!

Ajshe Ibrahimi, nutriciste/dietologe

Kur bëhet fjalë për të ushqyerit e drejtë, mëngjesi është ndër vaktet më të rëndësishme, sepse aktivizon metabolizmin, ndihmon në djegien e kalorive dhe siguron energji për aktivitetet ditore.

Shumë studime tregojnë se ngrënia e mëngjesit është e lidhur ngushtë me një shëndet të mirë, për arsye se ndihmon një përqendrim më të mirë dhe kujtesën, na mundëson nivele më të ulëta të kolesterolit dhe gjasa më të ulëta për të marrë  sëmundjen e diabetit, sëmundjet e zemrës dhe mbipeshën.

Zakonisht mëngjesi duhet të konsumohet në orën e parë të zgjimit nga gjumi.

Shumica e njerëzve e anashkalojnë vaktin e mëngjesit, por duhet të keni parasysh se pa marrjen e mëngjesit nuk mund të sigurojmë nutrientët e nevojshëm për trupin tonë, andaj mund të përjetojmë çrregullime metabolike, mungesë energjie, mungesë përqendrimi dhe rënie të disponimit.

Gjithashtu, anashkalimi i vaktit të mëngjesit na  bënë që të ndjehemi më të uritur dhe në vaktin e drekës të mos kemi kontroll në konsumimin e sasisë së ushqimeve, në ushqimet me nivel të lartë yndyrë dhe sheqeri dhe kështu të rrezikojmë shtimin e peshës.

Një mëngjes i shëndetshëm duhet të përmbajë karbohidrate, proteina, yndyra dhe fibra.