Kështu e kujton betejën e Zhegocit pas 22 vitesh një pjesëmarrës i saj

Milaim Sylejmani

Zhegoc, 15 prill 1999 /Me Afrim Nuhiun ndërrimin e morëm në ora 04:00 në pikën e quajtur “Te Kurdiovit”, që ndodhej nën udhëkryqin nga “Hanet e Zhegocit”. Këtë ndërrim e kishim kërkuar vullnetarisht dhe e mbanim çdo ditë. Prej 04:00-06:00.

Këtë ditë, pra me 15.04.1999 roja paraprake nuk kishte vërejtur asnjë lëvizje të dyshimtë nga ana e armikut.

Ndërsa ne rreth orës 05:00 dëgjuam zhurmën e lëvizjes së makinerisë së rëndë të forcave armike që bëhej në magjistralen Gjilan-Prishtinë.

Me Afrimin u morrëm vesh që ai të shkoj te “baza” të jep alarmin te ushtarët që flinin, e unë të shkoj dhe të pozicionohem te udhëkryqi “Te Hanet”.

Derisa mbërrita atje përmes rrugës dytësore, nga fshati serb Parallovë, në drejtim tonin numërova 20 tanksa, autoblinda, praga e kamiona të mbushur me ushtarë. Nuk e kisha parë fillimin e as fundin e kolonës së automjeteve.

Aty prita bashkëluftarët dhe shpejt u pocizionuam konform terenit, njëri pas tjetrit, në distancë nga 3-4 në rrugicën nga udhëkryqi në drejtim të juglindjes dhe i pari në këtë “rreshtim” ishte Afrim Nuhiu, me pushkomitrolezin e lehtë i ashtuquajtur 100-sh, për shkak të karikatorit që zinte 100 fishek, që ishte në formë të rrethit e që ne i thojshim “tepsi”. Kjo ishte arma më e rëndë që kishim!!!

Afërsisht rreth orës 6:00 (atëherë nuk kishim ide sa ishte ora) jemi sulmuar nga snajperistët serbë, ku u plagos një djalë i ri që sapo na ish bashkangjitur dhe nuk më kujtohet emri, por me sa di tani është në FSK.

Ishte ky sulmi i parë në këtë pozicion, mbase të zbuluar edhe për shkak të lëvizjes që bëmë me Përparim Mujën dhe një civil, në drejtim të Parallovës për të zbuluar pozicionin e sakët deri ku kishin mbërri forcat armike, meqë më nuk bënin lëvizje me automjete.

Pas këtij sulmi dhe me propozim të Njazi Miftarit, i cili ishte dërguar nga Shtabi (me veturë e kishte sjellë Ilaz Ahmeti) dhe kishte sjellur kodet e komunikimit për radiolidhje, kemi lëviziur në drejtim të perëndimit, deri te rruga që shpije për në Zhegocin e Epërm.

Propozimi ishte jetik, dhe qëndrimi i mëtejmë, do të ishte fatal për 12-13 ushtarë sa ishim. Sapo jemi pozicionuar përbri rrugës, në shtëpiat që ndodheshin në veriperëndim nga ne, rreth rrugës kryesore për Zhegoc të Ulët (atëherë ishin dy shtëpia dy katëshe) kemi vërejtur zhvillimin e vijës së sulmit që bëhej nga njësitë elite serbe dhe bëhej në mënyrë shumë profesionale, duke shfrytëzuar çdo objekt të mundshëm, në një vijë të përdredhur e që vinin nga drejtimi i Parallovës.

Në anën tjetër në të njëjtën rrugë, fill te kthesa e parë nga poshtë, pamë një xhip të bardhë që vinte mbështetje për ne.

Mbetëm të shtangur për rrezikun që ndodhej dhe për pamundësinë absolute për t`i njoftuar.

Pa një pa dy kemi shtënë me rafale të shkurtëra në drejtim të armikut, në terasën e njërës shtëpi, ku doli një ushtar serb për shkak të zhurmës së veturës e cila lëvizte me një shpejtësi maksimale, sa lejonin kushtet e rrugës. Ne hapëm zjarr me të vetmin qëllim që xhipi të ndalej, pasi u gjend në mes dy zjarreve.

Praktikisht nga ana jugore, serbët i kishim në afërsi, ku dëgjonim bisedat e tyre dhe hapja e zjarrit ishte shumë e rrezikshme për shkak të zbulimit të vendodhjes.

Për habin tonë, xhipi nuk u ndal…

Kam bërë zhagas disa metra në drejtim të udhëkryqit, për të kuptuar çka ka ndodhur me xhipin dhe më ka kthyer thirrja e Arben Ahmetit…

Menjëherë pasoi kundërsulmi me breshëri plumbash që krasitnin degët e njoma, që akoma nuk kishin dushk e që binin mbi trupat tanë. Për shumicën prej neve, fishkëllimat e plumbave mbi kokat tona dhe muzikalitetit i tyre, ishte i njohur nga betejat në Llap.

Zhagas dhe duke u rrotulluar jemi tërhequr te do varreza që gjenden aty. Tani u gjendëm në rrethim të plotë.

Vendosëm që të bëjmë një rreth shpinë-shpinë dhe të presim natën për t’u tërhjekur. Në rast se zbulohemi, të veprohet si anija e përmbysur: kush çka të mundet e si të mundet.

Unë kam groposur ditarin e luftës dhe disa foto të bëra në Llap, e Njaziu kodet e ndërlidhjes. Besoj që janë të dhëna të mjaftueshme për situatën që u gjendem…

Në mendjen time ora do të duhej të ishte kah 16-17:00. Kam pyetur për sahat a ka dikush dhe përgjigja ishte 09:10. Shumë dëshpëruese, nuk bëhej llaf të pritej mbrëmja!!!

Këtu ka mbërri ushtari i plagosur Afrim Myrta që kishte qenë në xhip dhe na ka informuar për rënien e Pajës – Pajazit Ahmetit. Afrimi kishte rreth 10 plagë, ishte bërë shoshë!

Kemi filluar të tërhiqemi me gjithë të plagosurin që plagët ia lidhi Përparim Muja.

I plagosuri kishte qenë tip sportiv dhe nga dy veta i ndihmonim për ecjen që bënte me një këmbë!

Kështu rreth lumit kemi vazhduar deri te shkolla e Zhegocit. Në këtë grup kemi qenë: Afrim Nuhiu, Përparim Muja, Gafurr Jakupi, Nazim Kajtazi, Ahmet Daku, Njazi Miftari, Asllan Asllani, Arben Ahmeti, Sami Halimi, “Vazi”, “Gazi” (i Dubovëve të Gadishit), Bujar Nevzadi, Metushi i Zhegocit, Heseti i Llabjanit dhe unë.

Aty jemi ripozicionuar dhe rigrupuar, derisa vet ka ardhur e na ka thirrur Komandanti i Brigadës Sali Mustafa, pasi që ishte tërhequr popullata civile.

Këtu duke menduar se po e thërras një ushtar tonin, përgjigja ishte:” sad çekaj” (prit tash), ishte pararoja serbe dhe e dinte që autoblinda e tyre ishte afër, e që kishte menduar se po e provokoj!

Buzë mbrëmjes kemi mbërritur në kodrën e madhe mbi shtëpinë ku ishte Shtabi i Zonës.

Sa e si ishte beteja e Zhegocit, citoj bashkëluftëtarin Përparim Muja: po të plagosesha, të më linin shokët, e të më zinin gjallë armiqtë, të më bënin të gjitha torturat e mundshme, po të mbijetoja, shokëve hallall do të ua bëja!!!

Ne që ishim “më afër vdekjes” të gjithë shpëtuam, e ata që më shumë i deshti e i nderoi Zoti Madh i morri. Shpresojmë dhe lutemi që t’i shpërblej me Xhennet.

Lavdi Pajazit Ahmetit, Alban Ajetit, Tefik Zymberi, Hanushmshahe Abdullahu, Shahin Baftiu, Sahit Baftiu, Kastriot Bafiu, Njazi Osmani dhe të gjithë dëshmorëve të Zhegocit e të gjithë Shypnisë!

****
Tregimi i kësaj Beteje nuk mund të quhet i kompletuar, pa rrëfimin e secilit ushtar. Unë këtu shkurtimisht paraqita vetëm një pjesë timen për pikën “Te Kurdiovit”.

Pra nuk kam treguar as për zhvillimet pas rigrupimit te shkolla (më kujtohen Luli Pograxhës-Oqalani dhe “Kabashi”) as te mali në anën jugore të Shtabit kur u ndodhëm në pozitë drejt për drejt me autoblindën, (këtu më kujtohet Raif Musliu), fati jonë që fokusin autoblinda e kishte te Shtabi, e as për “pikat” tjera.

Gjatë kësaj Beteje në Zhegoc, nga Vitia kanë qenë: Abdyl Bajrami, Hekrem Qerimi, Florim Ramaj, Naser Ramaj, Gyner Kamberi, Kerim Ferati, Liridoni nga Gjylekari, nga Zllatari kanë qenë Elez Sallahu me mbesën motër medicinale, Isa Bajrami etj. Kërkoj falje nëse në këtë pikë kam harruar ndonjë ushtar!
***
Fare në fund, falënderoj Ahmet Dakun që ma kujtoi Betejën qysh në syfyr!