Këta dy deputetë të koalicionit nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit

Në seancën për zgjedhjen e Presidentit, pos PDK, LDK dhe AAK, nuk morën pjesë as dy deputetët e koalicionit qeverisës nga Lista Guxo, Afërdita Hajrizi dhe Haxhi Avdyli.

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk ishin të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në seancë ndodheshin 64 deputetë, nga ky numër “63 deputetë votuan për Feride Rushitin, një votë e pavlefshme dhe zero vota për Hatixhe Hoxha”, njoftoi Salih Zyba i VV-së.

Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, njoftoi mbylljen e seancës dhe vazhdimin e saj për nesër në orën 10:00.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues.

Sipas KDI-së, një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

“Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë”.

“Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”.