Këta ishin dikur nallbanët (mbathtarët e kafshëve) në Gjilan dhe rrethinë
Nallbanët ishin një grup i veçantë i zejtarëve, i lidhur me zejet e tjera, siç është zeja e qerrepunuesve, farkëtarëve etj., por edhe veprimtarinë ekonomike të lidhur kryesisht me bujqësinë dhe blegtorinë.
Mbathtarët, një zejtari kjo shumë e vjetër, ishte mjaft e përhapur edhe në Gjilan e në rrethinë.
Si zejtari shërbyese, por që mund të merret edhe si metalpunuese, sepse nallbanët shpesh i bënin vet patkonjtë e thumbat.
Për mbathje përdornin disa lloj patkonjsh, disa i punonin vet nallbanët, kurse shumicën i blinin nga farkëtarët dhe sidomos patkonjtë -nallqet e kuajve, gomarëve.
Veglat e punës ishin danat, santraqi, kulla, gërshërët, fallaku dhe qatalli trikëmbësh.
Nallbanët janë marrë edhe me shërimin e plagëve të shkaktuar nga lëndimet apo sëmundje të ndryshme të shtazëve.
Në një regjistër të Odës Zejtare për Rrethin e Gjilanit, për periudhën mes dy luftërave botërore, në këtë rreth gjejmë të shënuar me leje pune 13 dyqane të nallbanëve, nga të cilët 9 në qytet dhe 4 në disa fshatra të rrethit.
Mirëpo, siç shihet nga të dhënat tjera dokumentare, numri i dyqaneve del të jetë më i madh.
Sipas regjistrit të cituar dhe dokumenteve të arkivës së Odës Zejtare në Gjilan, me dyqanet e tyre janë të shënuar këta mbathtarë nga viti 1890: Sylejmon Zymberi, Fejzë Hasani, Ramadan Hasani.
Kurse nga viti 1892 e tutje, gjejmë të shënuar me dyqane e tyre këta zejtarë: Hasan R. Hasani, Hasan Selimi, Rexhep Qerimi, Ajet Behluli, Ali Sherifi dhe Muharrem Shabiu.
Më 1925, bëjnë shpallje për hapjen e dyqaneve të tyre këta nallbanë: Zeqirija Sylejmani, Musa Xhaferi dhe Tahir R. Hasani – Rronqi. Më 1931, Islam Zymeri.
Në lagjen Deremëhallë, rr. “Mulla Idrizi”, ku krahas nallbanëhanës kishte edhe shtëpinë Rexhep Nallbani, zeje të cilën e trashëgon i biri Hasan Rexhepi, me leje të lëshuar nga viti 1940.
Duke u bazuar në të dhënat dokumentare të plotësuara me ato memoriale, arritëm të mësonim se deri nga mesi i shekullit të kaluar (XX), në rrugën kryesore të qytetit, nallbanhanet e tyre i mbanin: Mustafa Selimi (dyqani afër ambulancës se qytetit); Sherif H. Abdullahu dhe Zija Zeqirija S. Zymberi, (dyqane te biblioteka e tanishme); Agush Z. Agushi (dyqani përballë parkut); Tahir Hasan-Kërqa-Rronqit me djemtë, Rexhepi, Muharremi e Muhameti dhe nipat e stërnipat; Feti I. Veseli me djalin Maksutin; Xhafer M. Xhaferi; vëllezërit Islam e Dervish Veseli, Ahmet (Abdurrahman) Jonuzi i njohur si Ahmet Nepa, Jusuf H. Rexhepi, Beqir E. Hasani dhe Muharrem T. Hasani, Salih B. Pajaziti; Beqir M. Xhaferi dhe Reçki nallbani me dyqanet e tyre në fund të qytetit, afër lumit të Stanishorit; Hysein Qerimi, Xheladin Mehmeti.
Pos në rrugën kryesore, kishte nallbanë edhe në disa nga rrugët e qytetit.
Kështu, në rr. “Mulla Idrizi”, dyqanin së bashku me hanin e trashëgoi Hasan Rexhepi me djemtë; në rrugën “Adem Jashari”, dyqanet e nallbanit i kishin, Jusufi… skaj objektit të muzeut të tanishëm, pastaj Mustafa Raqipi dhe Sheh Tefik I. Mustafa, i tarikatit Sadi në fillim të rr. “Zija Shemsiu” dhe Ymer A. Ramadani në rr. “Halim Orana” afër Banjës dhe në rrugën “Sadullah Brestovci” mbante dyqanin e nallbanit Emin H. Emini.
Në bazë të këtyre të dhënave del se pas Luftës së Dytë Botërore, në qytetin e Gjilanit, punonin 18 punishte të nallbanëve.
Më 1972, në Gjilan numri i mbathtarëve kishte rënë në 9 dyqane, si pasojë e rrethanave të kohës dhe pjesa më e madhe e tyre, janë shpërngulur në Turqi.
Punëtori të nallbanëve, pos në qytet, kishte edhe në disa fshatra më të mëdha të Rrethit të Gjilanit.
Në Radivojc, që nga viti 1925, me leje të siguruar, punonte Ali Bajrami; në Hogosht, me leje nga viti 1926, punonte Ali Ramadan Bunjaku, zeje të trashëguar edhe nga të bijtë; në Kllobukar, me leje nga viti 1924, Aziz Rexhepi; në Topanicë, nga viti 1930, me leje punonte Ismajl Ademi; në Përlepnicë, nga viti 1945, me leje pune punonte Hysen T. Shabani, autodidakt, Alush Bejta dhe Ismajl Sllamniku në Viti.
Tani kjo zeje edhe pse shumë e vjetër, akoma disi gjallëron, në dy familje, te trashëgimtarët e familjes Tahir Kërqës dhe Feti Veselit, edhe pse jo në nivelin e dikurshëm.
Tani ata nuk kanë dyqanet e tyre por mbathjen e bëjnë nën qiell të hapur në fshatra, aty ku shfaqet nevoja dhe disa veprime në oborrin e tyre./Faik Ziyazade
(Shënim: Më gjerësisht rreth zejës së nallbanëve e keni librin “Zejtaria e Gjilanit” i cili gjendet në shitje)

