Këta janë dy të dyshuarit për tentim-vrasjen në Gjilan – përleshja mes dy familjeve përfundoi me lëndime të rënda
Është mësuar identitetin e dy personave të dyshuar lidhur me përleshjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Gjilan, rast i cili po hetohet për “Vrasje të mbetur në tentativë” dhe “Lëndim të rëndë trupor”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë R.B. rreth 59-vjeçar dhe V.V. rreth 55-vjeçar, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht, rreth orës 23:30, në rrugën “Kuvendi i Gjilanit”, pas një mosmarrëveshjeje mes familjeve Beqiri dhe Veliu.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, konflikti ka eskaluar në përleshje fizike mes tyre, ku dyshohet se janë përdorur mjete të forta – mjete pune.
Si pasojë, të dy personat e përfshirë kanë pësuar lëndime trupore.
Për shkak të natyrës së ngjarjes, rasti është cilësuar “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetuesit kanë kontrolluar edhe shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, me qëllim sigurimin e provave relevante për rastin.
Beqiri dhe Veliu më pas janë shoqëruar në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e avokatëve mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

